English

Heqja e aboneve, Olldashi: Bashkia të rimbursojë transportin urban në Tiranë

Tiranë, 29 tetor, NOA – Ministria e Transporteve ka kërkuar sot nga Bashkia e Tiranës që të marrë përgjegjësitë e saj ligjore për mbështetje financiare të kompanive të transportit urban. Pas ankesave të bëra nga këto të fundit, për kosto të papërballueshme të shpenzimeve dhe heqje të aboneve në muajt në vijim, Minstria e Transporteve sqaron, se është Bashkia e Tiranës ajo që vjen taksat nga këta operatorë.

Në deklaratën e ministrisë së Transporteve theksohet se Bashkia e Tiranës abuzon me faktin se në kontratën që ajo ka me operatorët nuk parashikohet subvencion për këtë lloj shërbimi.

“Përveç taksave që paguajnë kompanitë, bashkia përfton që prej dy vjetësh nga secili autobuz i kompanive edhe një taksë suplementare 700 mije lekësh. Por a nuk kryen të njëjtin shërbim operatori i transportit që mbulon linjën Kombinat – Kinostudio, e cila është në fakt edhe linja më fitimprurëse për sa i përket tregut të operimit, të cilën ajo e subvencionon 100%?!”, thuhet në deklaratë.

Ministria e drejtuar nga Sokol Olldashi sqaron se raste të ngjashme janë përballuar nga Bashkia edhe në qytetet të tjera të vendit.

“Theksojmë faktin se ka bashki të tjera, si bashkia Elbasan që drejtohet nga socialistë apo Kamzë, të cilat i japin subvencionin operatorëve privatë”, thuhet në deklaratë.

Sipas Transporteve problemet e ngritura nga operatorët e transportit publik qytetas e kanë origjinën pikërisht në institucionin që i licencon, që iu merr taksat, por që në asnjë rast nuk i ndihmon, pra Bashkia e Tiranës.

Më pas Ministria e Transporteve ndalet edhe në një sërë problemesh të tjera të Tiranës në lidhje me transportin urban.

“Operatorët kërkojnë korsi preferenciale për autobusët dhe taksitë, por në të gjithë rrugët e Tiranës, me përjashtim të disa pak metrave rreth qendrës, këto korsi mungojnë dhe ka pak shpresë që të ndërtohen në të ardhmen. Siç të gjithë e dimë, meqenëse parkimet mungojnë tërësisht sepse askush në Bashkinë e Tiranës nuk ka planifikuar (parkime) të tilla, korsitë janë kthyer në vend parkimi të automjeteve”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, Ministria e Transporteve vren se mungesa e një terminali të autobusëve dhe ndryshimi i shpeshtë i vendqëndrimit të tyre sjell jo vetëm një kaos suplementar por dhe stres për operatorët e transportit rrugor, drejtuesit e autobusëve, taksive, dhe udhëtarët që duan të udhëtojnë si brenda qytetit ashtu edhe në linjat jashtë qytetit.

“Tirana është kryeqyteti i vetëm në Europë e ndoshta në botë ku mungon një terminal i tillë. Do ftoja mediat të bëjnë një sondazh për të provuar se sa për qind e popullsisë është në gjendje të thotë se ku ndodhen stacionet e linjave kombëtare si Korça, Fier, Shkodër, apo ndërkombëtare si Selanik , Prishtinë , Shkup etj”, thuhet në deklarëtën e Ministrisë së Transporteve.

Në lidhje me ankesat për shoqëri transporti të palicencuara, Ministria deklaron se “është detyra e organeve të transportit në bashki të nxjerrin nga tregu i transportit këta transportues piratë (të pa licencuar) të cilët i shkaktojnë humbje të mëdha operatorëve të transportit të licencuar”.

Nga ana tjetër për çështjet që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e licencës, decentralizimin e kompetencës për përcaktimin e tarifave etj, Ministria e Transporteve sqaron se “po ndjek me shumë vëmendje situatën e krijuar në transportin urban të Tiranës, dhe si deri më sot në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqatës, sigurisht do zgjidhë problemet që janë në kompetencë të saj”.

a.k/NOA

KOMENTE