Tiranë, 29 tetor, NOA - Gjatë periudhës 9-mujore të këtij viti eksportet shqiptare janë rritur me 61 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Tekstilet dhe konfeksion-veshjet renditen në top listën përsa i përket eksportit të mallrave, të cilat për vitin 2009 zinin 27 për qind të totalit të eksportit.
Kështu u shpreh sot ministri i Ekonomisë, Ilir Meta gjatë fjalës në konferencën “Sfidat dhe Perspektivat e Industrisë së Veshjeve në Shqipëri”, e cila u zhvillua në kuadrin e Javës Shqiptare të Tekstileve.
Ai vlerësoi kontributin që jep sektori i tekstil-konfeksioneve në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe theksoi faktin se ai ka një rëndësi të jashtëzakonshme në punësim, sidomos për gratë dhe vajzat shqiptare.
Më tej, Meta deklaroi se Shqipëria përbën një potencial për investitorët e huaj edhe në fushën e industrisë së veshjeve dhe i ftoi ata që të shfrytëzojnë këto potenciale, duke theksuar faktin se qeveria shqiptare ka miratuar së fundmi një ligj që lehtëson dhe mbron investitorët e huaj nën vendin tonë.
Nga ana e saj, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë përgjatë këtyre viteve.
Përsa i përket sektorit të tekstileve, ambasadorja e Gjermanisë tha se ai është një sektor që prodhon mundësi dhe vende pune.
“Sektori i tekstileve është një ndër më sektorët dinamikë. Koleksionet më parë ndërroheshin dy herë në vit, tani më shpesh. Sfida për industrinë e veshjeve në Shqipëri është të zhvillojë koleksionet e veta. Pra, industria e tekstileve në Shqipëri të krijojë koleksionet e veta. Me këto koleksione Shqipëria do të jetë më konkurruese në tregjet europiane”, u shpreh ajo.
Ndërsa drejtoresha Rajonale e GTZ-së në Shqipëri, Ulrike Gantzer-Sommer, tha se bashkëpunimi me Shqipërinë do të vazhdojë dhe sektori i prodhimit të veshjeve duhet të shihet akoma dhe më nga afër, pasi ka mundësi të mëdha zhvillimi në të ardhmen dhe paraqet një potencial për t’u shfrytëzuar.
n.e/NOA