English

Ministria e Financave: Përgjegjësia për transportin urban është e Bashkisë

Tiranë, 29 tetor, NOA – Ministria e Financave ka hedhur poshtë pretendimet e Bashkisë së Tiranës, se faji për heqjen e aboneve për qytetarët i takon organit ekzekutiv. Në një reagim për mediat, Ministria e Financave shprehet se përgjegjëse për situatën e krijuar është vetëm pushteti vendor dhe konkretisht Bashkia e Tiranës.

“Transporti urban është funksion ekskluziv i pushtetit vendor dhe fondet për këtë qëllim janë bërë prej shumë vitesh pjesë e transfertës së pakushtëzuar të pushtetit vendor.

Mbi këtë bazë përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e problemeve të këtij sektori i takon bashkive”, thuhet në reagimin e Financave.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka theksuar se është e gatshme të diskutojnë në zgjidhjen e problemit, nëse diçka e tillë kërkohet nga Bashkia e Tiranës.

“Me gjithë diskutimet e bëra disa herë ndërmjet Ministrisë së Financave dhe MPPT, pushteti vendor nuk ka qenë pjesë dhe bashkëpunues në zgjidhjen e problemeve. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë, nëse kërkohet asistenca jonë”, thuhet në njoftim.

a.k/NOA

KOMENTE