English

Panel diskutimi: Nisja përmes Ambasadës, drejt Perëndimit

Tiranë, 29 Tetor, NOA/Milena Selimi - Më 3 korrik 1990, një kamion me refugjatë rrëzoi murin e ambasadës gjermane në Tiranë dhe hapi rrugën për më shumë se 3000 refugjatë të cilët vërshuan në ditët në vijim në mjediset e ndërtuara rishtas të kësaj ambasade, me shpresën se në këtë mënyrë do të largoheshin nga vendi i tyre.

Pothuajse një vit pasi mijëra refugjatë nga Gjermania Lindore (DDR) kishin arritur të largoheshin nëpërmjet ambasadës gjermane në Pragë, edhe Shqipëria kishte shënuar dukshëm një zhvillim të ri, prej të cilit kishte dashur fillimisht të distancohej duke siguruar: "Ne nuk jemi Evropa Lindore".

Foto nga Praga janë kthyer në ikona të raportimit mbi zhvillimet e kohës. Nga ana tjetër, pak ose aspak të pranishme janë në ndërgjegjen publike - si në Gjermani ashtu edhe në Shqipëri - rrethanat dhe kushtet në të cilat qëndruan refugjatët në ambasadën gjermane në Tiranë, cilat zhvillime në jetën e tyre i çuan drejt arratisjes në ambasadë dhe i shoqëruan ata në jetën e tyre më vonë.

Këto çështje do të diskutohen në panelin e diskutimit, të moderuar nga gazetari gjerman Alfred Eichhorn, së bashku me ish-refugjatë të ambasadave, krerë të ambasadës në Tiranë, punonjës të organizatave ndihmëse dhe personalitete të jetës publike në Shqipëri. Diskutimi do të plotësohet nga portrete të shkurtra filmike.

Aktiviteti do të zhvillohet më 29 tetor 2010, ora 17.00 - 18.30 tek Piramida, bulevardi "Dëshmorët e Kombit".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE