English

Përse korruptohen këta politikanë?

Si u katandisëm me këta politikanë, dhe si u katandisën këta politikanë, nuk janë dy pyetje aq të ndryshme. Njerëzit që dikur sakrifikuan e rrezikuan edhe jetën se jo vetëm pasurinë e tyre, sot janë bërë njerëzit më të pasur në vend që rrezikojnë jetërat e të tjerëve. Qytetarët pa dyshim se nuk e kishin kollaj të mos mashtroheshin. Por, si është e mundur që brenda fare pak viteve njeriu të përjetojë një këso metamorfoze makabër?

Nga Albin Kurti*

Pushteti në Kosovë është bërë kombinim i njerëzve të paaftë me njerëzit e pavullnetshëm. Vullneti i të paaftëve nuk i hyn në punë shoqërisë, por as aftësia e të pavullnetshmëve.

Megjithatë, motori i zemërimit të qytetarëve është pandershmëria dhe privilegjet e politikanëve, mungesa e seriozitetit dhe sinqeritetit të tyre, përkatësisht korrupsioni i politikanëve. Të gjithë tashmë e dinë dhe e shohin që pushteti i shtetit është përdorur për ta bërë shtetin të pushtetarëve. Dy vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova s’ka sovranitet e integritet territorial por as zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale. Jeta normale është bërë luks për shumicën e qytetarëve, ndërsa luksi është bërë jetë normale për pakicën prej pushtetarëve.

Si u katandisëm me këta politikanë, dhe si u katandisën këta politikanë, nuk janë dy pyetje aq të ndryshme. Njerëzit që dikur sakrifikuan e rrezikuan edhe jetën se jo vetëm pasurinë e tyre, sot janë bërë njerëzit më të pasur në vend që rrezikojnë jetërat e të tjerëve. Qytetarët pa dyshim se nuk e kishin kollaj të mos mashtroheshin. Por, si është e mundur që brenda fare pak viteve njeriu të përjetojë një këso metamorfoze makabër? Cilat janë ato shkaqe të paarsyeshme por edhe arsye të motivuara që e mundësuan a kushtëzuan një transformim të këtillë?

Sigurisht që bëhet fjalë për politikanë që në një moment të jetës së tyre e braktisën idealin e tyre të deriatëhershëm. Nga ëndrra e tyre ideale për popullin e shoqërinë u rrëzuan në realitetin e këndshëm material për veten e tyre. Ideali është i thjeshtë – ai zakonisht përshkruhet me një fjalë të vetme si liria, drejtësia a barazia. Mirëpo, pa ideal, s’ka moral. Momenti i braktisjes së idealit nga politikani gjithmonë pasohet me momentin e indiferencës ndaj moralit. Përballë idealit të tij dhe përderisa ideali është nënshtrati i mendimit të tij, politikani është shërbëtor i përvuajtur i shoqërisë. I kredhur në bollëkun material ku gjithçka jashtë reales ngjan utopike, politikani bëhet një mendjemadh që beson se shoqëria duhet t’i shërbejë.

Vetëm një dekadë më parë konsiderohej që angazhimi për vendin dhe popullin është obligim yni ndaj vendit e popullit. Besohej se që të gjithë ne e secili nga ne i kemi borxh shoqërisë e kombit dhe se duhet të punojmë për ta. Sot politikanët e regjimit për çdo ditë na e dëshmojnë që ata besojnë që populli e shoqëria atyre iu ka borxh, se qytetarët na qenkan mosmirënjohës ndaj tyre, dhe se zhvatja që ata ia bëjnë buxhetit të shtetit është e drejta e tyre për shkak të meritave të tyre. Në fakt, të vetmit njerëz që nuk i kanë borxh vendit e popullit tonë janë dëshmorët e kombit. Që të gjithë ne të tjerët jemi borxhlinj dhe mbesim borxhlinj.

Ndarja që e bën politikani nga ideali i deridjeshëm doemos bëhet edhe ndarje nga populli. Politikani i ndarë nis e thekson tiparet e tij si njeri i jashtëzakonshëm, si dikush që nuk është si të tjerët, e që gjithsesi është më i mençur e më i dijshëm se gjithë të tjerët. Ai nuk konsultohet më as me miqtë e tij se lëre më me qytetarët, dhe në themel të përjetimit që ka për veten e tij ndodhet ky dallim ndërmjet atij si personalitet shumë i rëndësishëm dhe qytetarëve të zakonshëm që përbëjnë veçse numra. Ky politikan nuk frikësohet nga qytetarët dhe as nga gjykimi historik, meqë është ai vetë që i frikëson qytetarët dhe beson se është personalitet i rrallë historik.

Braktisja e idealeve është mënyra se si politikanët e prejnë biletën e tyre hyrëse për korrupsion. Këta politikanë nuk korruptohen kur vijnë në pushtet por shumë më herët para se të vijnë në pushtet, e disa prej tyre korruptohen pikërisht që të vijnë në pushtet. Natyrisht që këtu s’kemi pse merremi me politikanët të cilët as që kishin ndonjëherë ideale, për shkak se Kosova sot nuk qeveriset nga politikanë që kurrë s’patën ideale, por mu nga aso që i braktisën ato.

Kur politikani heq dorë nga ideali i tij kjo s’do të thotë që ai është tërësisht jashtë idealeve mandej. Më parë se kjo, ai e përvetëson një ideal të huaj për interesa të huaja që qytetarëve e vetes ia racionalizon si urtësi të tij. Krerët institucionalë dhe partiakë të Kosovës e kanë braktisur idealin nacional-çlirimtar dhe janë zhytur në atë neoliberal. Ata që dikur e mbronin Kosovën, sot po e shesin atë. Këtyre politikanëve qytetarët nuk iu kanë aspak borxh. Këta politikanë i kanë shumë borxh Kosovës.

* Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje"

NOA

KOMENTE