Indonezi, 29 tetor, NOA – Përgjatë ishujve të goditur nga cunami, në brigjet e Sumatrës, kërkimi i të mbijetuarve është i vështirë për të shkak të shkatërrimeve të mëdha. Veç kësaj moti i keq ka penguar livrimin e ndihmave në ishujt indonezianë, ankohen ekipet e shpëtimit.
Sipas të dhënave të tyre, aktualisht rreth 13.000 të pastrehë ndodhen në kampe emergjence. Pas cunamit të ditës së hënë, të dhënat e fundit flasin për 408 të vdekur, qindra janë ende të humbur.
Ekipet e shpëtimit kanë shprehur frikën se shumë prej tyre nuk jetojnë më, pasi ishin rrëmbyer në det nga dallgët e cunamit.
Në ishullin Java, vullkani Merapi vazhdon të nxjerrë re gjigante hiri dhe llavë. Forcat e sigurisë po përpiqen të pengojnë banorët të rikthehen në fshatrat e tyre pjesërisht të shkatërruar në rrëzë të malit. Nga shpërthimi i Merapit të martën humbën jetën 34 vetë.
NOA/INA