English

Ruçi: Nuk do e marrim statusin e vendit kandidat, Berisha të zgjidhë krizën

Tiranë, 29 tetor, NOA – Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se vendi nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat, si pasojë e situatës në të cilën ndodhet vendi. Në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët, Ruçi tha se kjo nuk është deklarata e tij, por janë shkrimet që kanë bërë mediat evropiane në lidhje me situatën ne vend dhe shanset për t’u afruar me Bashkimin Europian.

Vet Ruçi citoi disa prej mediave që kanë aluduar se në datën 8 nëntor, Shqipëria do të marrë një përgjigje negative për kërkesën e saj.

Nga ana tjetër, Ruçi u shpreh se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë situatë.

“Bojkoti i opozitës ka qenë pasoja jo shkaku”, ka thënë ai në lidhje me efektet që mund të ketë dhënë kriza.

Ai u shpreh se opozita ka protestuar për të gjitha ato mangësi që ka dhënë dhe BE-ja për situatën në vend.

“Zërat që ka pasur kolegji i komisionerëve ka qenë krimi, korrupsioni dhe kriza politike, Besoj se ekranet tona dhe e gjitha media elektronike, kur ka përcjellë aksionet e opozitës këto të tria kanë qenë kauzat e opozitës”, tha sot Ruçi. Ai shtoi se këtij vendi nuk duhet t’i mungojë veprimi opozitar.

“Në i kemi lënë kohë, kemi mbi 15 muaj. Së dyti ne e kemi dorëzuar ofertën sot e një javë më parë dhe përsëri kryeministri, atë fjali që artikuloi atë ditë, atë artikuloi dhe dje. Dhe më tej, atë fjali e mohoi me të njëjtat argumente që ka artikuluar sot e 15 muaj më parë. Ne nuk humbim durim, askush të mos pres që në të lodhemi”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE