Tiranë, 29 tetor, NOA – Partia Socialiste ka vënë në shënjestër të akuzave të saj ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, i drejtori sot anëtarit të kabinetit qeveritar një sërë pyetjes që kanë të bëjnë me sistemin e tenderëve të barnave në vend.
Deputeti i PS-së ka hedhur dyshime për interesa privatë në hartimin e tenderëve të marrjes së ilaçeve.
“Cila ka qenë mënyra e furnizimit me ilaçe të spitaleve, dhe në mënyrë të veçantë ajo e spitalit onkologjik pranë qendrës QSUT, gjatë periudhës së mungesës së tenderëve?
Cilët janë këshilltarët dhe kush ju nxit kur hartoni politikat shëndetësore në Shqipëri, interesi i përgjithshëm publik apo interesa të veçanta private?”, tha sot Shalsi.
Deputeti i PS-së u shpreh se shëndetësia është një prej sekrtorëve më problematikë për shqiptarët.
“Duke marrë në konsideratë problemet e shumta me të cilat përballen shqiptarët në sistemin shëndetësor, Partia Socialiste do t’i drejtojë gjatë këtyre ditëve një seri pyetjesh qeverisë dhe në mënyrë të veçantë Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për të hedhur dritë dhe për të kuptuar më mirë arsyet e kësaj gjendjeje të mjerueshme në spitale dhe ambulanca”, tha ai.
Nga ana tjetër Shalsi u shpreh se Vasili duhet të jap përgjigje dhe për degradimin e gjithë sistemit shëndetësor.
“Çfarë po ndodh sot me sistemin shëndetësor në Shqipëri? Pse kanë degraduar shërbimet dhe pse ndodhen në pikë të hallit spitalet shqiptare? Si ka qenë dhe si është gjendja e furnizimit të spitaleve me ilaçe?”, tha Shalsi
Ndërsa pyetjet më kryesore kanë pasur të bëjnë me tenderin e ilaçeve. “Pse u vonua shpallja e listave për barnat e rimbursueshme dhe barnat spitalore? A keni pasur ndikime nga individë të veçantë për hartimin e listës së ilaçeve të rimbursueshme atyre spitalore?
Përse u shtynë nga Marsi për në Shtator tenderët për furnizimin me ilaçe?”, tha deputeti socialist.
Gjithashtu ai shtoi se këto janë vetëm një pjesë e pyetjeve, për të cilat presin një përgjigje nga Ministri i Shëndetësisë.
“Këto janë një pjesë e pyetjeve që do të donim t’i drejtonim z. Vasili, duke shpresuar dhe uruar që ai do të ketë përgjegjshmërinë e mjaftueshme për t’ju përgjigjur qartë këtyre shqetësimeve dhe se nuk do të ndjekë shembullin e keq të sivëllezërve apo simotrave të tij, respektivisht ministra apo ministre në kabinetin ku ai bën pjesë”, tha Shalsi.
a.k/NOA