Bulqizë, 29 tetor, NOA Update - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me urdhrin “Nderi i Kombit”, Baba Fejze Bulqizën (pas vdekjes), me motivacionin: “Veprimtar i shquar i rezistencës anti-osmane, një ndër pionierët e Lëvizjes Kombëtare, me kontribute në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe”.
Ceremonia e dekorimit u zhvillua gjatë një takimi që pati presidenti Topi me intelektualë, deputetë e autoritete të pushtetit vendor, si dhe klerikë e personalitete në sallën e Qendrës së Kulturës të qytetit të Bulqizës.
“Baba Fejzë Bulqiza na motivoi të gjithëve, na motivoi për të bashkëpunuar me të gjithë autoritetet vendore të Qarkut të Dibrës, të cilët, në unison, në një mendim shprehën dëshirën për ta përkujtuar Baba Fejzën, për t’i dhënë atij ndoshta atë që ai e ka merituar prej kohësh. Dhe jo rastësisht sot ne jemi të gjithë këtu. Nuk do të doja kurrë që ritualin e nderimit, të dekorimit të kësaj figure shumë të madhe, jo vetëm për Qarkun e Dibrës ta bëja në Tiranë. Jo, dëshiroja ta bëja këtu, sepse ky është minimumi i nderit që ne mund t’i bëjmë kësaj figure patriotike, historike, fetare, që është patjetër një pikë referimi shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Kjo është arsyeja që jam sot këtu për ta ndarë së bashku me ju këtë gëzim të jashtëzakonshëm”, tha Topi në fjalën e tij.
Duke shtuar se sot, në kohët moderne vërtet ne mund të flasim, kemi arsye të krenohemi për shumë gjëra që kemi arritur. Kemi arsye të krenohemi për mbijetesën e kombit dhe të popullit shqiptar. Kemi arsye të krenohemi, sepse në ditët tona janë rikthyer shumë gjëra që i kishim lënë gjatë rrugës shpeshherë tragjike të historisë sonë, pra sot ne kemi një rilindje të vërtetë në të gjitha aspektet të Shqipërisë, por edhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Sot kemi një realitet të ri, Shqipëria sot është një vend jo i harruar, është një vend i nderuar. Shqipëria sot është një vend i NATO-s. Shqipëria sot është një vend që ecën në mënyrë të pandalshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sot ne kemi komoditetin të flasim, të diskutojmë, të debatojmë për të tashmen dhe për ta ardhmen tonë.
“Baba Fejze, sikurse e tha i nderuar Baba Dede Reshat Bardhi, nuk i takon vetëm kësaj treve. Ai, me figurën e tij, e projektoi atë figurë tek e gjithë Shqipëria, unë do të thoja tek i gjithë kombi. Kjo është arsyeja që motivimi im ishte, tashmë i realizuar, që Baba Fejze Bulqiza të nderohet me titullin e lartë “Nderi i Komit” duke u futur kështu në listën e njerëzve më të nderuar të këtij kombi me histori të madhe dhe me një perspektivë shumë të qartë”, përfundoi Topi.
n.e/NOA