Bulqizë, 29 tetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin verilindor të Bulqizës, ku u prit nga pushtetarët vendorë, të cilët e njohën me arritjet, sfidat, problemet e projektet e së ardhmes së këtij qyteti të thellë verilindor.
Kreu i shtetit u kushtoi vëmendje të veçantë çështjeve të rendit e të zhvillimit ekonomik, arsimor, shëndetësor dhe kulturor të qytetit.
Duke vënë në pah faktin që Bulqiza vazhdon të ruajë e të trashëgojë karakteristikat e traditat e vyera shqiptare, kryetari i shtetit theksoi se “vjen me shumë dëshirë në këtë zonë për ta nderuar atë dhe simbolin e bektashizmit, Baba Fejze Bulqizën”. Më tej, Topi zhvilloi në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak një takim të veçantë me drejtues teknikë dhe përfaqësues të minatorëve, të cilët informuan rreth situatës dhe kushteve të punës në minierë.
“Jam këtu edhe për t’u takuar e bashkëbiseduar me autoritetet dhe për t’ju shprehur mbështetjen time maksimale. Që nga hera e fundit kur kam ardhur këtu për fatkeqësitë që ndodhën në minierë, shoh se ka përmirësim të situatës dhe se ekziston gatishmëria për progres. Apeli im është që të mos harrohen familjet e kolegëve tuaj që kanë humbur jetën në minierë. Ka solidaritet institucional dhe njerëzor, por duhet bërë më shumë e në vazhdimësi”, u shpreh ai.
n.e/NOA