English

Zgjedhjet, emigrantët kandidojnë për këshilltarë bashkie në Greqi

Athinë, 30 Tetor 2010 - Të shumtë janë emigrantët që kanë kandiduar për këshilltar bashkie në Greqi në zgjedhjet që do të zhvillohen në datën 7 Nëntor.

Një nga këta emigrantë është edhe Lefter Kuqo nga qyteti i Skraparit, që jeton në Greqi prej vitit 1992.

I martuar, me një fëmijë dhe me dy binjakë që do të vijnë në jetë për dy muaj, Lefteri jeton në lagjen Halandri në Athinë.

“Në Greqi erdha në vitin 1992, ndërsa që prej vitit 1994 jetoj në lagjen Halandri, ku dhe kam hedhur kandidaturë për këshilltar bashkie”, - thotë z. Kuqo për Newsit. gr.

Emigranti ka punuar dhe punon në fushën e ndërtimit, madje ka arritur që tani përveç një ndërmarrje të vogël që ka krijuar, ka ndërtuar edhe një kompleks banesash në një vend turistik të Atikisë.

“Që në moshë të vogël kam punuar shumë dhe vazhdoj të punoj. Kam punësuar deri në 20 vetë, ndërsa tani për shkak të krizës punësoj 8 emigrantë shqiptarë, jo se kam shumë punë, por mendoj që aq sa fitojmë ti ndajmë së bashku”, - vazhdon Lefteri.

Duke folur për reagimin e vendasve Lefteri tha se “ kandidimin për këshilltar bashkie e kanë pritur shumë ngrohtë, madje më mbështesin”.

“Shpresa ime për të fituar është tek vendasit pasi shumë pak shqiptarë janë regjistruar, për të fituar të drejtën e votës”, - thekson Kuqo.

Ai beson se do të ketë mundësinë të bëhet këshilltar bashkie dhe të jetë përkrahësi i emigrantëve shqiptarë në lagjen Halandri.

“Dua që të ecim përpara pa vuajtje dhe emigrantët shqiptarë të kenë një derë ku të trokasin dhe ku do të gjejnë mbështetje, pasi të gjithë kemi të njëjtat probleme dhe kuptohemi më mirë”përfundon Lefter Kuqo.

KOMENTE