English

Akuzat në shëndetësi, PS: Ministri Vasili i papërgjegjshëm, të largohet

Tiranë, 30 tetor, NOA – Pas adresimit të disa pyetjeve, selia rozë ka akuzuar rishtas sot ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili për papërgjegjshmëri, amulli dhe korrupsion në sistemin shëndetësor, duke i rikujtuar ministrit Vasili se duhet të japë shpjegime sa më parë për këto shqetësime të qytetarëve shqiptarë dhe pacientëve.

“Është momenti t’i bëjmë të qartë se këto janë pyetje, që i shtrojnë pacientët, infermierët, punonjësit e spitaleve dhe doktorët. Të gjitha këto kategori janë ato, që ndiejnë më shumë peshën e rëndë të papërgjegjshmërisë, amullinë dhe korrupsionin në sistemin shëndetësor”, deklaroi nënkryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi.

Sipas tij, shpërfillja që i bën shqetësimeve të ngritura nga pacientët dhe të bëra publike nga selia rozë, dëshmojnë se ministri i shëndetësisë nuk gjen fjalë pasi është pikërisht ai që për shkak të papërgjegjshmërisë po e çon drejt humnerës sistemin shëndetësor, dhe se për këtë duhet larguar nga drejtimi i MSH-së.

Nënkryetari i Grupit socialist i paralajmëroi ministrin e Shëndetësisë që të mos i injorojë kërkesat, pasi në ditët në vazhdim selia rozë do të zbulojë disa fakte që tregojnë filozofinë me të cilën drejton ministrinë e Shëndetësisë Petrit Vasili.

Deputeti socialist, Eduard Shalsi i adresoi ministrit të Shëndetësisë disa pyetje të reja, ku përmendi edhe faktin e publikuar nga vetë ministri, që me një urdhër të tijin i detyron mjekët e QSUT-së dhe të gjitha spitaleve që të mos lëshojnë receta për barna të listës spitalore, ndërkohë që në spitale sikundër njihet mungojnë medikamentet dhe materialet mjekësore. Por jo vetëm për këtë shqetësim, deputeti Shalsi i bëri thirrje ministrit të japë shpjegime edhe për shqetësime të tjera dhe të mos heshtë, pasi në këtë mënyrë do të komprometonte rëndë pozicionin e tij dhe shumë shpejt do të nxirrte lakuriq para shqiptarëve një të vërtetë, që sipas Shalsit do të na bëjë të gjithëve të ulërijmë.

Deputeti Shalsi sakaq i kërkoi ministrit Vasili se përse ai nuk i përmbahet strategjisë së sistemit shëndetësor të miratuar për periudhën 2007-2013 dhe preferon ta drejtojë tërë sistemin shëndetësor me urdhra të pambështetura në ligje, si përshembull rasti i emërimit të një infermiereje në fshatin Devoll të Korçës, emërim i firmosur nga vetë ministri i Shëndetësisë.

Shalsi e akuzoi ministrin Vasili se po ndërmerr iniciativa ligjore pa u konsultuar me grupet e interesit duke i sjellë një dëm të madh sistemit shëndetësor dhe atij farmaceutik.

mit/NOA
KOMENTE