Tiranë, 30 tetor, NOA – “Duhet të ndihemi krenarë me shkallën e përgatitjes e të gatishmërisë të cilën vazhdon të mbajë, të konsolidojë e të çojë përpara, reparti elitë i Policisë së Shtetit, Reparti i Eliminimit, Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, RENEA”.
Kështu është shprehur sot ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, gjatë ceremonisë së mbajtur sot në kuadrin e panairit AMEX, ku u bë shfaqja e një aksioni të RENEA.
Sot ata kanë realizuar një skenar fiktiv, i cili stimulonte grabitjen e një banke nga një grup i rrezikshëm, kriminal, me parametra të përgatitjes terroriste dhe skenari i përgjigjes ndaj kësaj ngjarjeje është demonstruar qartësisht para syrit të kamerave dhe para syrit të qytetarëve dhe ekspertëve që e ndiqnin këtu në qendër të Tiranës.
“Me dhjetëra e dhjetëra aksione të tilla por larg syrit të kamerave janë zhvilluar nga ky repart, por edhe nga forca të tjera të Policisë së Shtetit gjatë gjithë këtyre viteve. Aftësia e tyre vjen duke u përsosur, kapacitetet e tyre teknike, organizative, planifikuese dhe njerëzore kanë arritur sot padyshim në nivelet e praktikave më të mira evropiane”, tha Basha.
Duke shtuar se përshëndet e përgëzon drejtuesit dhe punonjësit e RENEA-s, drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë meritën e madhe të përsosjes profesionale, tekniko-organizative të strukturave dhe të përdorjes me efiçencë dhe me zero tolerancë në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe terrorizmit.
Dhe së dyti për t’i garantuar ata se Ministria e Brendshme dhe qeveria e kryeministrit Berisha sikundër deri tani nuk do të kursejnë asgjë për t’i ofruar atyre mbështetjen më të plotë morale dhe politike, financiare dhe teknike, dhe se arritjet që bënë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët do të konsolidohen më tej duke e bërë Policinë e Shtetit, policinë shqiptare një partnere të denjë dhe një pararojë të integrimit europian të vendit.
n.e/NOA