English

Berisha, Ramës: Muaj mjalti të gëzuar, të kthej përgjigje të hënën për ofertën

Marikaj, 30 tetor, NOA – “Më lejoni t’i uroj kryetarit muaj mjalti të gëzuar. Kjo është në rrafshin njerëzor. Për pjesën tjetër është e sigurt, se ditën e hënë do të kenë përgjigjen tonë serioze dhe uroj që ata ta shqyrtojnë e trajtojnë me seriozitet”.

Këtë deklaratë e bëri sot kryeministri Sali Berisha, duke i dhënë përgjigje opozitës se po shqyrton ofertën e bërë nga shefi i saj, Edi Rama në tryezën për reformën zgjedhore, për të cilën do të japë përgjigje në 1 nëntor.

Duke folur për heqjen e vizave nga Marikaj, shefi i ekzekutivit theksoi se qeveria vazhdon axhendën e saj pavarësisht nga zhurma mediatike e atyre që kanë zero alternativë, sikundër e cilësoi ai opozitën, duke nënvizuar se “qeveria vazhdon reformat e mëdha e të thella, me të cilat bëri të besueshme Shqipërinë e shqiptarët për heqjen e vizave, reforma me të cilat qeveria ka bërë investime të mëdha e serioze, duke garantuar se ky vendim ishte fund e krye i bazuar në meritën, në realizimet e Shqipërisë, shqiptarëve dhe qeverisë shqiptare”.

Kryeministri Berisha premtoi se pavarësisht nga shpifjet, trillimet e thashethemet e opozitës në këto katër vite janë ndërtuar 6 mijë kilometra rrugë dhe se gjatë këtij mandati vendi do të ketë rrjetin rrugor më të mirë, më të plotë e më të ri në rajon.

Gjithashtu shefi i qeverisë tha se përparësi do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve.

“Unë kam kënaqësi se sot çdo fermer në Vorë e në mbarë Shqipërinë, i cili katër vite më parë merrte 3 400 lekë, sot merr dyfishin, merr 7 200 lekë dhe i garantoj se nuk do të ndalemi, por do të ecim me shpejtësi drejt asaj kohe, që edhe në fshatin shqiptar të mos ketë pension nën 100 dollarë”, u tha kryeministri banorëve të Vorës.

Kryeministri Berisha i bëri këto deklarata pas inaugurimit të ujësjellësit rajonal të bashkisë së Vorës, i vendosur mbi kodrat e fshatit Marikaj dhe i realizuar me një investim të buxhetit të shtetit me vlerë 96 milion lekë.

Duke uruar banorët e Marikajt dhe të bashkisë së Vorës për ujësjellësin e ri, që do të furnizojë me ujë të pijshëm katër fshatra të kësaj bashkie, me rreth 7 mijë banorë, shefi i qeverisë garantoi se në tre vitet e ardhshëm, do të asfaltohet çdo rrugë të kësaj bashkie, do të ndërtohet nyja e Vorës, si dhe ujësjellësi e sistemi i kanalizimeve për çdo fshat të saj.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha i kushtoi rëndësi të veçantë zhvillimit të projektit të ullirit dhe ftoi fermerët e kësaj zone, të njohur për prodhimin e ullirit, për të zgjeruar sipërfaqen e mbjellë me ulli nga 300 hektarë aktualisht, në 1 mijë hektarë, duke i garantuar se qeveria do t’i subvencionojë për çdo rrënjë ulliri të mbjellë.

Kreu i ekzekutivit u bëri banorëve të Vorës njohur bëri të njohur se këtë vit do të nisë një tjetër projekt ambicioz për kultivimin e drurëve frutorë të arrës, bajames, gështenjës, shegës.

mit/NOA
KOMENTE