English

Edmond Haxhinasto: Diplomacia shqiptare, strategji konkrete për lobimin e Kosovës

Tiranë, 30 tetor, NOA – “Diplomacia shqiptare e ka vendosur çështjen e njohjes, të lobimit për njohjet e reja të Kosovës, si një detyrë të rëndësishme të aktivitetit të saj. Për momentin jemi duke përpunuar një strategji konkrete, specifike për të gjithë çështjet ku ne mund të kontribuojmë dhe për të gjithë ato vende ku ne mund të lobojmë dhe mund të kemi efikasitet konkret”.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, gjatë një interviste dhënë gazetës “Illyria”dhe radios “Kosova”.

Zoti ministër, në detyrën tuaj mund të themi ende në thonjëza, a "ia keni marrë dorën" punëve të rëndësishme që ka diplomacia e Shqipërisë?

Sigurisht, që politika e jashtme dhe diplomacia si mjeti për realizimin e saj është një sfidë permanente me situata gjithmonë të reja, të cilat kërkojnë vendimmarrje të rëndësishme. Unë jam i angazhuar që në këtë proces dinamik, sigurisht, të realizoj efiçencën maksimale të veprimit diplomatik dhe në këtë përpjekje timen kam mbështetjen e të gjithë korpusit të diplomatëve shqiptarë në Tiranë dhe në përfaqësitë tona diplomatike".

Zoti Haxhinasto, ju e morët detyrën pak pasi paraardhësi juaj Ilir Meta kishte "shijuar" vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e kishte vlerësuar si të ligjshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës. A besoni se diplomacia e Shqipërisë duhet të bëjë më tepër pas shpalljes së këtij opinioni, duke u nisur nga fakti se një apo dy njohje nuk duket se janë një numër i madh.

Diplomacia shqiptare e ka vendosur çështjen e njohjes, të lobimit për njohjet e reja të Kosovës, si një detyrë të rëndësishme të aktivitetit të saj. Për momentin jemi duke përpunuar një strategji konkrete, specifike për të gjithë çështjet ku ne mund të kontribuojmë dhe për të gjithë ato vende ku ne mund të lobojmë dhe mund të kemi efikasitet konkret.

Nëse mundeni, a na sqaroni se çfarë elementësh përmbajnë këto parapërgatitje tuajat zoti ministër?

Po, tani kjo është një paketë e elaboruar, është një veprim strategjik, i cili është sigurisht për të orientuar veprimin tonë diplomatik dhe ajo që do të shihet nga publiku do të jetë veprimi konkret diplomatik dhe produkti i tij".

Ju jeni shprehur pas gjendjes politike që po kalon Kosova se shteti i ri do t'ia dalë mbanë për ta kapërcyer këtë gjendje. Kosova përgatitet për një palë zgjedhje, por ndoshta po duket se ato do të mbahen më herët se parashikimi. Bëj fjalë përpara 13 shkurtit siç pritej. A ndonjë "ndikim" Shqipëria apo në rregullativat ligjorë të Kosovës, për të mundësuar një palë zgjedhje të lira dhe të drejta?

Republika e Shqipërisë është një vend mik i Kosovës, i cili ndjek me vëmendje të veçantë të gjithë zhvillimet politike atje. Por, Kosova tashmë e ka të gjithë sistemin institucional të saj të konsoliduar, ka një klasë politike mature dhe të përgjegjshme, nga sfidat e mëdha që ka Kosova, nga të cilat është edhe procesi i negociatave me Serbinë. Kështu, që unë gjykoj se zgjidhjet më optimale, më në shërbim të Kosovës dhe të ardhmes së saj do të gjenden në Prishtinë dhe kam besim të plotë për këtë".

Zoti ministër, Shqipëria mbështet fillimin e bisedimeve praktike me Serbinë, përpara apo pas zgjedhjeve në Kosovë?

Mendoj se çështja e kohës së këtyre negociatave nuk është shumë relevante përsa i takon zgjedhjeve. Mendoj se çështja e negociatave është proces i natyrshëm që vjen pas ngjarjeve të mëdha, të rëndësishme për sa i takon konfirmimit ndërkombëtar të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Dhe, sigurisht me një (do të thoja), legalitet të tillë procesi i negociatave nuk ndikohet aspak nga zhvillimet politike të brendshme të Kosovës, që siç e thashë edhe pak më lart janë zhvillime normale, zhvillime të cilat realizohen në një kuadër kushtetues tashmë të qartë dhe me përgjegjësitë përkatëse politike të të gjithë aktorëve të përfshirë".

A mendoni se zoti ministër se lidhur me Luginën e Preshevës, disa çështje nuk po realizohen nga shteti serb? E kam fjalën për ecurinë e diplomave që mund të njihen nga autoritetet serbe, bëj fjalë për studentët që përfundojnë studimet në universitetet e Shqipërisë, bëj fjalë për trajtimin e popullatës, për çështjen e ish-luftëtarëve të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe po ashtu natyrisht edhe për zhvillimin ekonomik të kësaj treve. E bëj pyetjen zoti Haxhinasto, duke u nisur gjithashtu nga fakti se Shqipëria iu përmbajt një premtimi të dhënë nga zoti Meta në Beograd për ndikimin në hapjen e shkollave në gjuhën serbe siç u bë në Libofshë të Fierit. A duket se Serbia i është përmbajtur fjalëve të saj?

Ajo që është e rëndësishme janë vullnetet që ekzistojnë ndërmjet të dy palëve për të forcuar marrëdhëniet në të gjitha planet, që duhet të konkretizohen në veprime konkrete, të cilat tashmë janë të identifikuara. Ato kanë të bëjnë me një listë çështjesh që duhet të zgjidhen, midis të cilave është edhe njohja respektive e diplomave për studentët e Preshevës që kanë mbaruar në shkollat jashtë Serbisë apo për çështje të tjera që kanë bëjnë me integrimin e tyre të mëtejshëm në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Serbisë. Kjo do të jetë një çështje, për të cilën ne do të tregojmë vëmendje të vazhdueshme dhe unë besoj që vullnetet e shprehura politike, shumë lehtë mund të përkthehen në veprime konkrete, në veprime që do të sjellin një cilësi tjetër të jetës së qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Shqipëria si dhe Kosova, zoti ministër janë treguar të hapura dhe shumë bashkëpunuese me fqinjët, sidomos me Serbinë në rastin konkret. Po nuk duket se Serbia ka qenë kaq e hapur dhe bashkëpunuese, jo vetëm me këta dy shtete, por edhe me Gjykatën e Hagës. E kam fjalën që a ekziston te Shqipëria i njëjti mirëkuptim për të mbështetur Serbinë në rrugën e integrimit?

Ne mendojmë se sa më shumë që të angazhohet Serbia në proceset integruese, aq më e fuqishme do të jetë influenca europiane në shoqërinë dhe në politikën serbe. Prandaj ne kemi bërë këtë zgjedhje, kemi mbështetur proceset integruese të Serbisë. Por, gjithashtu ne kemi kërkuar në vazhdimësi që procesi i integrimit është procesi i performancës së secilit vend, është një proces i realizimit të detyrimeve përkatëse dhe sigurisht çështja që ngrini ju është nga detyrimet të cilat janë të domosdoshme që Serbia t'i realizojë".

Zoti ministër, cilat janë marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë? A i vlerësoni si të nivelit shumë të lartë?

Unë do t'i cilësoja si marrëdhënie të shkëlqyera. Shqipëria ka Greqinë si partner të dytë ekonomik, në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare. Greqia është një partner në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, një mbështetëse e këtij procesi. Greqia ka qenë një mbështetëse për integrimin tonë, për anëtarësimin tonë në NATO dhe sot është një partnere e Shqipërisë në këtë organizatë. Kështu që, këto marrëdhënie janë të plota, janë me shumë nivele dhe me shumë dimensione. Ne sigurisht që kemi një sfidë që t'i çojmë ato më tej, të krijojmë një volum të ri shkëmbimesh, të thellojmë më tej bashkëpunimin ekonomik, të integrojmë më shumë shqiptarët që jetojnë atje, e një sërë çështjesh të tjera, të cilat ne tashmë i kemi identifikuar me partnerët grekë dhe për të cilat punojmë vazhdimisht".

Ju thoni marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera dhe që keni evidentuar një numër çështjesh me partnerët grekë. A janë të shkëlqyera dhe a janë diskutuar me partnerët grekë edhe çështja e shqiptarëve çamë, pra jo thjesht kthimi i pronave të tyre, por edhe për t'u kthyer në vatrat amtare?

Çështja e komunitetit çam tashmë e ka një qëndrim shumë të qartë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një çështje që mund të zgjidhet në kuadrin e legjislacionit ndërkombëtar, është një çështje që zgjidhet në një klimë të mirë bashkëpunimi, në një klimë e cila është siç e thashë edhe më lart, është e shkëlqyer në marrëdhëniet mes të dy vendeve dhe sigurisht që çështje të tilla janë të parashikuara për t'u zgjidhur edhe në bazë të Traktatit të Miqësisë mes të dy vendeve. Sigurisht, që me partnerët grekë ne i kemi ngritur këto çështje dhe eksizton mirëkuptimi që këto çështje të zgjidhen në bazë të legjislacionit ndërkombëtar".

Zoti Haxhinasto më lejoni edhe një pyetje lidhur me marrëdhëniet me Greqinë. Në pjesë e rëndësishme e kësaj pyetjeje i takon zgjedhjes nga vetë komunitetet fetarë. Por, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare me në krye Hirësinë e Tij, Anastasin, ka edhe dy peshkopë të tjerë që janë grekë. A besoni se këtu kemi një devijim nga statuti i vitit 1936 kur u njoh Autoqefalia e Kishës sonë?

Unë nuk dëshiroj të futem në çështjet e Kishës. Unë dëshiroj të shikoj që të gjitha këto çështje të jenë zgjidhje të vetë saj në përputhje me statutet dhe kanonet që aktualisht kjo Kishë ka".

Për lehtësimin e regjimit të vizave, qeveria e koalicionit mes Lëvizjes tuaj Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha, mund të thuhet se është një arritje jashtëzakonisht serioze. Çfarë besoni se duhet bëjë Shqipëria që ato 2-3 kritere që kanë mbetur dhe që më tepër i përkasin mosbesimit të disa vendeve anëtare, të zhbëhen?

Ne jemi në një moment që edhe ato vende anëtare, të cilat kanë pasur një lloj skepticizimi për liberalizimin e lëvizjes në hapësirën "Shengen", jo domosdoshmërisht të shkaktuara nga Shqipëria, por nga efektet që krijoi liberalizimi nga vendet e tjera si për shembull Maqedonia apo Serbia, tashmë janë adresuar në mënyrën më të përshatshme. Ne ndërkohë kemi garantuar partnerët tanë europianë se Shqipëria i ka arritur të gjithë standarded e nevojshme për të realizuar liberalizimin. Kjo gjë është konfirmuar prej vetë atyre, në raportet e ndryshme të ekspertëve dhe mendoj se duhet të jemi të bindur në këto momente se vendimi për liberalizimin e vizave për shqiptarët në nëntor do të jetë i garantuar".

Përveç pritjes pozitive që tashmë duket se e ka marrë udhën e saj të heqjes së vizave, Shqipëria pret edhe raport "Progresin" dhe sidomos "Opinionin" e Komisionit Europian që nëse është e gatshme ose jo për të filluar negociatat mbi statusin "kandidat" për anëtarësim në Bashkimin Europian. Klima politike në Shqipëri nuk ka lënë shumë shpresa për këtë.

Mendoj se edhe për këtë çështje unë jam shprehur mjaft qartë, që pritshmëritë europiane janë që Shqipëria të ketë një funksionim institucional të debatit politik, pra brenda institucioneve, jo në rrugë apo bojkote, të ketë një angazhim konkret të të gjitha forcave politike për ato çështje që janë ngritur si shqetësuese siç është transparenca e zgjedhjeve apo reforma zgjedhore. Mendoj se ajo që tregon vërtetësinë e kauzave të njerës apo të tjerës forcë politike është veprimi konkret për të realizuar këto kauza, është veprimi konkret se si veprohet për të bërë transparencën e zgjedhjeve apo se si veprohet për të bërë reformën zgjedhore. Çështja e reformës zgjedhore nuk është retorikë, çështja e reformës zgjedhore është veprim konkret. Hapësirat ekzistojnë dhe tashmë këto hapësira duhen shfrytëzuar për rezultate edhe të prekshme për këtë qëllim. Edhe tryeza e fundit e partive politike konfirmoi pikërisht vullnetin që ekziston nga mazhoranca që të realizohen veprime konkrete dhe këto të përkthehen në standarde më të larta zgjedhore. Përsa i takon çështjes së transparencës zgjedhore, tashmë edhe për këtë çështje janë dhënë garancitë për çdo veprim politik, për çdo veprim legjislativ, i cili mund të realizojë një transparencë të plotë të zgjedhjeve të kaluara".

Pyetja e fundit zotëri ka të bëjë me fitoren e kandidatit të LSI-së në komunën Trebinjë të Pogradecit. Por, po ashtu lidhet edhe me vetë me pyetjen nëse është dëshmi kjo fitore që koalicioni LSI-PD do t'ia dalë mbanë edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore?

Mendoj se rasti i Trebinjës ishte një shembull shumë i qartë që dëshmoi se kur krijohen energjitë e caktuara, që kur realizohet një koalicion i bazuar në objektiva të përbashkëta dhe kur bëhet përzgjedhja e duhur e kandidaturave, rezultatet janë shumë pozitive. Unë jam i bindur se ky model që u përdor në Trebinjë do të jetë një model, një formulë e suksesit në një shkallë shumë të gjerë kombëtare edhe për zgjedhjet e ardhshme të majit 2011".

NOA

KOMENTE