English

Gërhitja, shkaqet dhe rreziqet që vijnë nga ajo

Tiranë, 30 Tetor, NOA- Një person në tre gërhet gjatë gjumit. Zakonisht më të prekurit nga gërhitja janë meshkujt. Në shumicën e rasteve akti i gërhitjes është i lidhur me relaksimin gjatë gjumit të muskulit të fytit, dhe të muskujve të gojës dhe gjuhës. Në raste të tjera gërhitja është e lidhur me inflamacionin e mukozës nazale.

Për të reduktuar problemin e gërhitjes mund të ndihmojnë aplikimet e mjekësisë popullore të shoqëruar nga një mënyrë jetese e shëndetshme. Kush gërhet duhet që: të mos pijë alkool në mbrëmje, të shmangë pirjen e duhanit para gjumit, të hajë darkë lehtë dhe është mirë që të përpiqet të flejë shtrirë në një anë.

Shkaku kryesor i gërhitjes është mbipesha. Sa më shumë të jeni në mbipeshë, më të shumta janë mundësitë e gërhitjes. Vendosja e një jastëku jo shumë të butë nën jastëkun ku flini, mund ta lehtësojë problemin e gërhitjes.

Gjithashtu ekspertët këshillojnë të shkrihet 1 lugë gjelle kripë në një gotë me ujë. Vendoset përzërja në një pompë hunde dhe njomet mukoza e hundës disa herë në ditë, veçanërisht natën. Uji i kripur luan një rol dezinfektues të mukozës. Gërhitja mund të jetë rutinë ose mund të ndodhë vetëm në raste të caktuara të vitit. Në raste të tilla mund të jetë për shkak të një alergjie, e cila shkakton ënjtjen e mukozës së hundës dhe të fytit. Atëherë ju duhet ti nënshtroheni testeve për të identifikuar alergjinë.

Personat që gërhasin janë më të rrezikuarit nga bronkiti kronik, një sëmundje e lidhur shpesh me pirjen e duhanit apo ndotjen e ajrit. Kjo është pohuar nga një studim i Koresë së Jugut të botuar në “Archives of Internal Medicine”. Shkencëtarët në Korea University Ansan Hospital kanë analizuar 4.270 burra dhe gra në periudhë 5 vjeçare. Nga këto, 314 kanë zhvilluar bronkitin kronik. Duke marrë parasysh rastet e duhanpirësve dhe atyre që paraqisnin të tjerë faktorë për bronkitin kronik, hulumtuesit e Koresë së Jugut kanë arritur në përfundimin se njerëzit që gërhasin deri në pesë net në javë kanë 25% më shumë gjasa për të zhvilluar bronkitin kronik se sa ata që nuk gërhasin. Ky faktor rreziku rritet deri në 68% për ata që gërhasin nga gjashtë deri në shtatë ditë në javë

Sipas, Inkyung Baik, koordinator i ekipit hulumtues, nuk është ende e qartë se pse gërhitja çon në bronkitin kronik. Një hipotezë është se ajo mund të provokojë një dridhje të rrugëve të frymëmarrjes, duke i stresuar ata deri në inflamacion.

a.e./NOA

KOMENTE