Fier, 30 tetor, NOA – “Vetëm pak javë na ndajnë nga momenti ku të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë të drejtën për të lëvizur të lirë në hapësirën evropiane”. Liberalizimi i vizave ishte kryefjala e takimit entuziast mes liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe të rinjve të Lëvizjes rinore për Integrim në qytetin e Fierit, ku u diskutua gjithashtu edhe për përgjegjësitë e të rinjve në një kohë kur Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet vendore të 8 majit.
Kryetari i LSI-së ndau me të rinjtë e LRI-së idenë se Shqipëria po kalon momente tepër të rëndësishme për të ardhmen e vet, duke iu referuar zgjedhjeve vendore dhe procesit të integrimit, një e ardhme, që sipas zotit Meta kërkon njëkohësisht që të rinjtë të marrin me shumë përgjegjësi për të ardhmen.
“Një pjesë e mirë e juaja, kanë një eksperiencë 6 vjeçare në këtë forum, ndaj këtë eksperiencë dhe këtë energji ju ftoj, që ta investoni në mënyrë që përfaqësimi me të rinj në këshillat bashkiakë dhe komunalë në zgjedhjet e 8 majit të shtohet akoma më shumë në mënyrë, që roli juaj në vendimmarrje në të gjitha nivelet të rritet akoma më tej”, theksoi kreu i LSI-së.
Ndër të tjera, kryetari i LSI-së, Meta u shpreh se “LSI është krijuar në radhë të parë si një forcë, si një tribunë e rinisë shqiptare për të shprehur energjinë, talentin dhe aftësitë e saj sepse sipas tij, LSI është ajo forcë e re politike, që i jep gjithmonë energji pozitive politikës shqiptare ”.
Në këtë kontekst kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se “LSI është ajo forcë politike, e cila ka treguar se është një garanci solide për stabilitetin e vendit dhe të institucioneve të tij është një forcë që investon të gjithçka për integrimin evropian të Shqipërisë, është një forcë e cila nuk ka frikë nga demokracia përkundrazi është një forcë që përpiqet ta ridimensionojë politikën në vendin tonë”.
Ai u kujtoi të rinjve se LSI u krijua si një forcë politike që i mëshon idesë së zhvillimit dhe integrimit, e mbajtjes së zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë, që vota e tyre të jetë e barabartë. Duke përshëndetur organizimin e LRI-së në Fier, Meta u shpreh optimist për të ardhmen e LSI-së në qytetin e Fierit.
“Është kënaqësi t’ju shikoj kaq entuziast dhe energjik si gjithmonë edhe mbi te gjitha kaq optimist për të ardhmen, sepse vetëm një vend me një rini, që ka energji që ka besim te vetja mundet të këtë një të ardhme të sigurt dhe të shkëlqyer, dhe Shqipëria është pikërisht një vend me të ardhme, sepse ka një rini të mrekullueshme”, u shpreh Meta në Fier.
mit/NOA