Tiranë, 30 Tetor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e shtunë, 30 Tetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme debatin mes dy palëve për Piramidën e ish-diktatorit dhe bojkotin e radhës nga opozita, shoqëruar me kushtet përkatëse të vendosura nga opozita. Ato paraqesin edhe dëshminë e një oficeri policie mbi masakrën e Durrësit, ku u vranë 4 policë nga Dritan Dajti. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i aboneve në kryeqytet, ku as ministria dhe as bashkia nuk kanë marrë përgjegjsinë.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Korçë, skandali i konsullit grek”, i cili citon faktin sesi në ceremoninë e përkujtimit të çlirimit të Greqisë, u tha se u çlirua në të njëjtën ditë edhe Korça.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Armand Peza: Të pathënat e dasmës së Edi Ramës”, referuar ceremonisë martesore të kryesocialistit Edi Rama.
“Sot pritet vendimi i aboneve për Tiranën”, është një artikull që citon reagimet e institucioneve për çështjen e aboneve në kryeqytet.
“Aty ku gratë sterile kërkojnë mitër me qera, reportazhi shokues” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Hetimi i avokatit/ Zbardhen përgjimet, si korruptohen gjyqtarët”, i cili tregon detaje nga përgjimet ndaj avokatit të arrestuar për marrje ryshfeti.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Pirro Çako dhe Vesa Luma sjellin për herë të parë një këngë”.
Ndërkaq, lidhur me masakrën e Durrësit, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Dëshmia në gjyq, oficeri: Ishim me uniforma policie kur na qëlloi Dritan Dajti”.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Nuk ka zgjidhje, abonetë përplasin Bashkinë me qeverinë”.
“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Zana Arbnori: Piramida, mos hiqni emrin e Pjetrit”, i cili tregon reagimet e bashkëshortes së ish-deputetit demokrat, lidhur me prishjen e Piramidës së ish-diktatorit.
“Grekët: 7976 ushtarë ranë në Shqipëri”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje.
Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Oficeri dëshmon për masakrën e Durrësit: Na nisën te Dajti pa na thënë asgjë, nuk e kishim parë as në foto”.
“Liberalizimi i vizave, thikë me dy presa” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Regjistrimi, kush edhe nga SHBA”, i cili tregon sesi SHBA ka dhënë një shans të dytë për Gjykatën Administrative, por përmend si detyrim, regjistrimin e popullatës, shoqëruar nga artikulli me titullin “Ilir Gjoni: Duan të na nxjerrin si shtet multi-etnik”.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Policia: Jemi në prag të zbardhjes së vrasjes së kryekomunarit në Kukës”.
Çështja e Boboshticës mbërrin gjithashtu në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Skandali i Boboshticës, banorët: Donim viza, ndaj e lejuam memorialin”.
“Abonetë në Tiranë, zgjidhja pritet të dielën” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Tryeza, OSBE: Partitë të tregohen të përgjegjshme”, i cili i referohet tryezës së djeshme të organizuar për reformën zgjedhore, ku OSBE ka bërë thirrje për përgjegjshmëri nga ana e forcave politike në vend.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Ruçi: 6 kushtet e opozitës për t’u kthyer në Kuvend”.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Lista e personave që duhet të paraqiten në ambasadë për vizë greke”.
Ndërsa në rubrikën “sociale” do të lexoni “Përplasja, abonetë/ Faji jetim, asnjë institucion nuk pranon përgjegjësinë”.
n.e/NOA