Tiranë, 30 tetor, NOA – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër kryetarit të Partive Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, Martin Schulz, atij të Partive Popullore Evropiane, Jozef Daul dhe Komisionerit për zgjerimin në BE, Stefan Fule, për vazhdimin e krizës politike në vend dhe mospjesëmarrjen e opozitës në tryezën për reformën zgjedhore, ku i bën thirrje se zgjedhjet e qershorit të 2009-ës nuk i deformoi kodi zgjedhor, por shkelja e kodit zgjedhor, që njehsoi shtetin me pushtetin duke shkatërruar në mënyrë të qëllimshme mekanizmat që do të garantonin mosvjedhjen e votave, sikundër ishin përcaktuar bashkarisht nga opozita dhe Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kreu i Grupit Kuvendor socialist, Gramoz Ruçi në letrën e tij është shprehur se “Eksperienca e procesit konsensual, që ndërtuam në zgjedhjet e kaluara, përsa na takon si PS e si opozitë duke vënë interesin e vendit, mbi çdo thirrje të një tradite konfliktuale, duke i dhënë për herë të parë në historinë e pluralizmit këtij vendi, një reformë zgjedhore të miratuar me konsensusin më të gjerë, 9 muaj para zgjedhjeve, për fat të keq nuk prodhoi rezultatin e dëshiruar, pra atë të mbylljes së kapitullit tragjik të tranzicionit shqiptar me procese zgjedhore të deformuara e të kontestuara”.
Në këtë kontekst zoti Ruçi sqaron europarlamentarët se “Pavarësisht se çdo kod, çdo ligj është i përmirësueshëm, pavarësisht se ky kod ka nevojë për përmirësime, ne na duhet në radhë të parë, që ligjet që miratojmë t’i zbatojmë”.
“Nuk kërkojmë as më shumë e as më pak po një pikë kompromisi, që mishëron rezolutën e Parlamentit Europian të datës 8 korrik 2010, ku veçoj shprehimisht kërkesë/rekomandimin për arritjen e një “marrëveshje bazë për ngritjen e një komisioni parlamentar me qëllim hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009, me Kryetar dhe shumicën e anëtarëve të zgjedhur nga opozita, dhe me një mandat për të hetuar materialet zgjedhore sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruan në letrën e adresuar për europarlamentarët kreu i Grupit Kuvendor të PS-së.
Në këtë kontekst, Ruçi informon në letër se “35 deputetë të PS-së kanë firmosur kërkesën për ta ngritur komisionin parlamentar një orë e më parë dhe vetëm me ngritjen e këtij komisioni parlamentar, ne jemi të gatshëm të fillojmë paralelisht punën për reformën zgjedhore”, siguroi Ruçi në letër.
Në emër të grupit parlamentar të opozitës, ai kërkoi vëmendjen e europarlamentarëve për këtë situatë aspak optimiste, që sipas Ruçit pa një zgjidhje të arsyeshme kompromisi nuk premton asgjë të mirë për të ardhmen e afërt.
“Ne duam të vendosim një gur themeli në bashkëjetesën tonë demokratike, duke filluar vendosja e ligjshmërisë në procesin zgjedhor, përmes një transparence që do të na tregojë qartë shkallën e zbatueshmërisë së ligjit ekzistues të zgjedhjeve në Shqipëri, pikat ku duhet të ndërhyjmë për përmirësime ligjore dhe natyrën e shkeljeve të këtij ligji themelor të cilat në të gjitha rastet e dyshuara për manipulime të qëllimshme do t’i kalojnë organeve të drejtësisë”, shkruan zoti Ruçi.
Ai bëri me dije se oferta e re e partisë Socialiste për të zgjidhur krizën e ardhur prej zgjedhjeve të 28 qershorit, është dëshmi e vullnetit për të reformuar rregullat e bashkëjetesës e modernizimit të vendit, duke e afruar me Europën, synim për të cilin opozita nuk mund të jetë dekor i një demokracie që nuk funksionon me ligje që miratohen por nuk zbatohen.
Opozita, shkruan më tej Ruçi, nuk kërkon të draftojë apo imponojë një kod të ri.
Sipas tij, Shqipëria është në një krizë të thellë politike dhe institucioanle, burimi i së cilës është pikërisht deformimi i procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 nga ka dalë një parlament, që po prek nivele të panjohura më parë të shkeljes së parimeve e normave që rregullojnë funksionimin e tij.
“Jeta parlamentare është cënuar rëndë për shkak të eleminimit në mënyrë të dhunshme të votimit të fshehtë edhe kur bëhet fjalë për persona të veçantë, manipulimit të procesit të votimit në sallën e Kuvendit, mungesës së transparencës minimale të procesit legjislativ në tërësi, moslejimit të mbikqyrjes financiare dhe ndryshimit në mënyrë të njëanshme të rregullave të funksionimit të parlamentit tri herë brenda këtij sesioni parlamentar”, evidenton në letër kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Ai përmend në letër edhe kapjen nga qeveria të institucioneve të pavarura, ndëshkimin politik të kandidatëve të propozuar nga Presidenti i Republikës për në institucionet e drejtësisë, bazuar mbi parimet e të ashtuquajturit ligj të lustrimit, i konsideruar si antikushtetues nga Komisioni i Venecias, i kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.
Një fakt tjetër i përmendur në letrën e kreut të Grupit Kuvendor Socialist, është edhe korrupsioni, kultura e pandëshkueshmërisë dhe krimi i organizuar, të cilët po shfaqen sipas opozitës si asnjëherë tjetër në jetën publike për shkak të një qeverisje, që nuk buron nga vullneti i popullit dhe mosfunksionimit të institucioneve të shtetit të së drejtës.
Ruçi informoi europarlamentarët edhe për vrasjen pak ditë më parë në pragun e shtëpisë të kryekomunarit të opozitës, në Kukës si dhe për vrasjen e deputetit të opozitës, Fatmir Xhindi në prag të fushatës së shkuar, vrasje ende të pazbardhura nga policia.
Duke inkurajuar gjetjen e kompromisit në vend, dhe hapat e bërë nga opozita, zoti Ruçi njofton europarlamentarët se qeveria dhe kreu i saj, Sali Berisha kanë përgjegjësinë kryesore për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, që po e paguajnë përditë shqiptarët.
mit/NOA