English

RENEA demonstron operacionin special për grabitjen me armë të bankës

Tiranë, 30 tetor, NOA – Reparti special “RENEA” ka improvizuar sot në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet përballë syve të kalimtarëve demostrime për zgjidhjen e situatave të vështirësisë së lartë si grabitje me armë të bankave, sikundër mund të ishte vjedhja e Bankës kombëtare.

Ky demonstrim force u realizua në kuadër të Panairit të Parë Ndërkombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen (ALMEX), që po mbahet në Tiranë, nga 28-30 tetor.

Duke improvizuar grabitjen me armë të Bankës së Shtetit, u krijua një situatë e tillë ku me urdhër të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhënë përmes Departamentit të Sigurisë Publike -Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale, i gjithë Reparti “RENEA” u vu në gatishmëri, pasi në qendër të Tiranës, po grabitej Banka e Shtetit nga persona të armatosur.

Në vijim të operacionit njësia e Gatshme e repartit RENEA u nis me urgjencë në vendngjarje, për të marrë situatën nën kontroll, dhe për shkak të trafikut të rënduar u përdor helikopteri.

Në bazë të informacioneve paraprake, të marra nga policia lokale, rezultoi se në Bankën Qendrore të Shqipërisë, është kryer grabitja me armë e bankës nga 2 persona të armatosur, si dhe një i tretë që i priste në fugon jashtë godinës, përballë hyrjes së bankës. Ka informacione të pakonfirmuara se ky grup, që po kryen grabitjen e bankës mbështetet edhe nga persona të tjerë të armatosur, kjo për shkak të krismave të shumta, që dëgjohen përreth bankës.

Gjatë grabitjes është plagosur një roje i bankës, punonjës i sigurisë private.

Për momentin “grabitësit” e bankës janë të rrethuar nga policia lokale përpara bankës dhe ka shkëmbime zjarri mes tyre dhe forcave të policisë lokale.

Veprimet e demonstruara nga Reparti Special “RENEA”, për zgjidhjen e kësaj situate të improvizuar janë marrja e detyrës dhe lëvizja e njësisë së gatshme të Repartit dhe vënia në gatishmëri e gjithë Repartit për të vepruar në vendngjarje.

Më pas bëhet mbërritja në vendngjarje dhe marrja e situatës nën kontroll.

Afrimi i grupit të ndërhyrjes së planifikuar dhe koordinimi i veprimeve me grupin e kufizimit të afërt është hapi tjetër dhe më pas ndërhyrja e planifikuar, ndarja në 3 nëngrupe dhe veprimet taktike për ndalimin e “grabitësve”, që lëvizin me automjet. U demonstruan edhe veprimet për neutralizimin, prangosjen dhe shoqërimin e grabitësve. Dhe në fund forcat RENEA demonstruan aktin final të mbylljes së aksionit shoqërimin, ruajtjen e provave materiale dhe evakuimin e të plagosurve, për rastin e improvizuar të vjedhjes me armë të Bankës Kombëtare.

mit/NOA
KOMENTE