Gjenevë, 30 tetor, NOA - “Krimi i organizuar është një problem konkret, por Shqipëria ka ndërmarrë reformat më të thella në rajon. Shqipërisë nuk duhet t’i refuzohet statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”.
Ky është apeli që ka bërë zëvendës-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë forumit Krans Montana të mbajtur në Gjenevë për korrupsionin dhe krimin global, ku ka pohuar se vendi ynë vërtet mund të ketë ende probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por ai meriton që të mos ndëshkohet në ecurinë e procesit të integrimit.
Më tej, duke folur mes 300 pjesëmarrësve të forumit të Krans Montanës, ai tha se Shqipëria ka bërë reformat më të thella në rajon dhe se krimi i organizuar nuk është problem i yni, por i fqinjëve tanë.
“Shqipëria është vendi ballkanas që ka ndërmarrë reformat më të thella në luftën kundër këtyre fenomeneve”, u shpreh ai.
n.e/NOA