Elbasan, 31 tetor, NOA – Ndërsa afrimi i dimrit shënon në Shqipëri edhe nisjen e makthit të ndërprerjes së energjisë elektrike, një lajm i mirë për konsumatorët shqiptarë është se 4 nëntori do të jetë dita kur Shqipëria do të hyjë zyrtarisht mes dy linjave ndërkombëtare të tensionit të lartë, 400 kilovolt, Tiranë-Mali i zi dhe Shqipëri-Greqi, që do të thotë se shqiptarët nuk do të vuajnë më furnizimin me energji përgjatë gjithë kohës.
Tashmë po kryehen punimet e fundit në Elbasan për lidhjen e linjës së interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë.
Burime nga institucioni vendor i KESH-it në Elbasan bëjnë të ditur punimet përmbyllëse për këtë linjë do të sjellin ndërprerjen kohë pas kohe të energjisë në këtë qytet, nga ora 07 i mëngjesit deri në orën 17.00 të pasdites, ndërprerje që u njoftua nga CEZ së do të ndodhte në të gjithë vendin deri në datën 4 nëntor, pra ditën e enjte, të javës në vijim.
Burime nga KESH thonë se kufizimet e energjisë do t’i ndijenë si konsumatorët familjarë, po edhe disa prodhues në vend, si fabrika e çimentos ECF, Uzina e Mjekësit, por jo institucionet vendore të rëndësisë së veçantë.
Burime nga ky institucion sqarojnë se pas përfundimit të linjës ndërkombëtare të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë, do të nisin remontet edhe në nënstacionin 400 kilovolt të Elbasanit, i cili do të lidhë linjën e tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Fakti për krijimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë u bë public nga ish ministri i Energjitikës, Dritan Prifti në muajin shkurt të këtij viti, gjatë takimit me homologun e tij malazez.
Linja e interkonjeksionit me Malin e Zi pritet të ulë kostot e shkëmbimeve të energjisë elektrike mes dy vendeve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes të dy vendet, Shqipëria dhe Mali i Zi siguruan se linja Tiranë-Podgoricë do të përfundojë brenda këtij viti, për të mundësuar transmetimin më të lirë të energjisë mes dy vendeve dhe një rrugë për të shtuar shkëmbimet e import-eksportit.
mit/NOA