Tiranë, 31 tetor, NOA – Prishja e ish-Piramidës që u ngrit në vitin 1998, si një muze për të përjetësuar kujtimin e diktatorit Enver Hoxha, mund të cilësohet edhe si një proces i dekomunistizimit, një proces që në Shqipërinë post-komuniste nuk ndodhi, një proces që sikundër destalinizimi i realizuar nga Gorbaçovi në Rusi, do të arrinte të ndryshonte perceptimin e Shqipërisë pas izolimit 50 vjeçar nga një prej diktaturave më të egra në botë.
Këtë ide e dha sot Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, kreu i të cilës, Artur Roshi deklaroi në një konferencë për shtyp se “procesi i dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare është i vështirë, por i domosdoshëm dhe duhet vazhduar me këmbëngulje për ta realizuar”.
Ky reagim i bashkohet vendimit të qeverisë berisha për të ndërtuar aty parlamentin e ri të Shqipërisë, dhe për ta inauguruar pikërisht në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që do të finalizohen në vitin 2012, pra dy vjet më vonë.
Rezistencën për mosprishjen e Piramidës, veprës që u ndërtua për të përjetësuar figurën e diktatorit, PBKD e vlerëson si një dëshmi të lidhjes së fuqishme, që ekziston ende mes partive të caktuara politike, personave të caktuar dhe institucioneve të tjera dhe diktaturës.
“Qëndrimi që mbajnë drejtues të Partisë Socialiste në raport me mosprishjen e piramidës tregon se ata ende mendojnë se mund të bëhen europianë me simbolet e komunizmit të paprekura, dhe me Çe Guevaren në gji”, theksoi Roshi.
Ai bëri thirrje që piramida të prishet, pasi ajo u ideua nëpërmjet kultit të individit për t’i shërbyer lavdisë së diktatorit Hoxha, dhe jo për t’i shërbyer lavdisë së kombit.
Sipas PBDK-së, ndërtesa e Piramidës nuk është një godinë funksionale, pasi aty ka humbur shfrytëzimi në lartësi në raport me sipërfaqen dhe vendin e zënë, andaj duhet të kthehet në një ndërtesë “simbol kombëtar”.
PBDK sqaron se krijimi i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit do të ndihmonte në zbardhjen e të shkuarës së regjimit më kriminal në historinë e Shqipërisë, andaj për këtë arsye kjo parti kërkon që qeveria ta mbështesë ndërtimin e këtij institucioni duke investuar për mbarëvajtjen e tij.
Por, në seancën e fundit plenare të kuvendit, ditën e enjte, kryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi u shpreh nga foltorja e Kuvendit se PS nuk e kundërshton ndërtimin e parlamentit tek piramida, porse ajo do që të zhvillohet një konkurs i hapur ndërkombëtar për ngritjen e tempullit të demokracisë, pikërisht në 100 vjetorin e Pavarësisë.
mit/NOA