English

PDI reagon për Boboshticën: Ndal përdhosjes së shqiptarëve!

Tiranë, 31 tetor, NOA – Organizata rinore e Partia Drejtësi dhe Unitet ka reaguar sot për ngjarjen në Boboshticë të Korçës ku është ngritur një memorial i ushtarëve të vrarë grek në varrezat e banorëve të zonës. Koordinatori i Klubit të Patriotëve të Rin, Jetmir Salaj, në një deklaratë për mediat e cilësoi ngjarjen si të ngjashme me atë të varrezave në Kosinë dhe kërkoi reagimin e institucioneve shtetërore.

“Ne të rinjtë jemi ata që duhet të çohemi dhe të themi: Ndal! Ndal përdhosjes së shqiptarëve! Ndal uljes së dinjitetit tone! Ndal çdokujt që vendos përpara dinjitetit njerëzor afeksionin për ushtritë pushtuese! Dhe mbi të gjitha ndal urrejtjes që këta individë tentojnë të krijojnë për të arritur qëllime të errëta, antishqiptare dhe kundër të drejtave të njeriut!”, tha Salaj.

Ai ka kërkuar në emër të Klubit të Patriotëve të Rinj që të reagojnë në lidhje me këtë akt. Salaj u shpreh se shumë shpejt do të organizohet një tryezë të përbashkët me organizatat patriotike rinore për të koordinuar veprimet e mëtejshme.

“Rinia duhet të bashkohet për të thënë fortë fjalën e saj në raste të tilla. Klubi i Patriotëve të Rinj nuk do të ndalet përpara realizimit të objektivit kryesor të saj: ndalimin e uljes së dinjitetit të shqiptarëve, që jam i sigurt se është në zemrat e çdo bashkëqytetari tonë”, tha sot Salaj.

Koordinatori i Klubit të Patriotëve të Rinj theksoi se ngjarja e fundit e ndodhur në fshatin Boboshticë është një ngjarje makabre e përsëritur.

“Çdo shqiptar ndihet i fyer kur sheh që institucione që veprojnë në Shqipëri e kanë të thjeshtë që të shesin varret e shqiptarëve për të respektuar ushtritë pushtuese të vendit tonë. Shteti shqiptar duhet të çojë përpara drejtësisë autorët e këtij akti dhe të dekurajojë që akte të tilla të përsëriten në të ardhmen. Ju kujtoj që vetëm pak kohë më parë një vandalizëm i tillë ndodhi edhe në fshatin Kosinë”, u shpreh ai.

a.k/NOA

KOMENTE