Romë, 31 tetor, NOA - Me dënime që arrijnë deri në 15 vjet burg u dënuan nga Gjykata e Milanos, 8 mjekë të klinikës private “Santa Rita”.
Mjekët akuzohen se kanë bërë operacione të panevojshme në shumë pacientë me qëllim përfitimin ekonomik.
Ata kanë bërë që prej 2005-ës, 83 operacione të panevojshme, përfshirë dhe transplante organesh, sikundër bëri të ditur gazeta italiane “La Republika”.
Mjeku, që ka udhëhequr operacionet në “Klinikën e Ferrit”, Pier Paolo Masone u dënua me 15 vjet e gjysmë burg.
Sipas gjykatës, Masone nuk kishte treguar as më të voglën mëshirë ndaj pacientëve që kishte operuar.
Operacionet bëheshin për tu rimbursuar më pas nga spitali publik.
Të paktën 5 të moshuar humbën jetën pas ndërhyrjeve në këtë klinikë private. Rasti më flagrant ishte ai i një 88 vjeçareje, e cila iu nënshtrua tre operacioneve në mushkëri, me kosto 12 mijë euro për çdo ndërhyrje, ndërkohë që, sipas mjekëve e moshuara nuk kishte nevojë për më shumë se një ndërhyrje.
Në një tjetër rast, një vajzë 18 vjeçare iu nënshtrua një transplanti të panevojshëm.
Kreu i grupit të mjekëve, Piero Masone dhe dy ndihmësit e tij, përveç disa viteve burg do të kthejnë si dëmshpërblim shumën prej 80 mijë euro.
mit/NOA