English

Shalsi-Vasilit: Kush fshihet pas kompanisë që ka marrë tenderin e ilaçeve

Tiranë, 31 tetor, NOA – Për të tretën ditë radhazi Partia Socialiste ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili që të jap sqarime për tenderin e ilaçeve të rimburusueshme.

Në një deklaratë për mediat deputeti i PS, Eduard Shalsi, ka aluduar se shitja e ilaçeve i është besuar një kompanie që ka hyrë në treg në vitin 2010. Ai ka kërkuar sqarim edhe për listën e ilaçeve që është miratuar gjatë këtij viti, e cila nuk është bërë publike.

“Një deputet i PS i ka kërkuar Ministrit të Shëndetësisë për ti vënë në dispozicion listën e barnave spitalore, thënë më thjesht ilaçet që duhet të gjenden në spitale. Ministri që këtë listë duhej ta kishte publike nuk ka kthyer ende përgjigje se cila është kjo listë. E mban të fshehur. Përse? Çfarë e tremb? Përse ka frikë ta afishojë dhe ta bëjë publike?”, tha ai. Shalsi u shpreh se për hartimin e listës është harxhuar kohë e pajustifikueshme.

“Ishte një listë e cila u desh muaj të përgatitej. Por ende nuk kemi kuptuar se përse mori kaq kohë për tu hartuar? Ende nuk është dhënë një arsye se cilat janë kriteret që u përdorën për të hartuar listën e barnave spitalore”, tha Shalsi.

Ndërsa ka shtuar se nuk është kuptuar ende nëse lisa u hartua nga brenda Ministrisë apo njerëz jashtë saj dhe pranë Ministrit.

“ Një tjetër fakt. Qendra Spitalore Universitare Tirana dhe disa spitale të tjera u urdhëruan të blinin në mënyrë të drejtpërdrejt ilaçet e një kompanie, ilaçe të cilat nuk u futën në listën e rimbursimit. Cila është kjo kompani? Çfarë e bën të veçantë?’, tha deputeti socialist.

Ai ka kërkuar përgjigje për tenderët që ka fituar kjo kompani. “Gjatë vitit 2010 ka dalë në pah një kompani që tregton ilaçe, kompani e cila ka njohur një rritje të paparë biznesi brenda një viti. A ka dijeni Petrit Vasili për këtë kompani që ka fituar një numër të jashtëzakonshëm tenderësh në QSUT dhe në të gjithë rrjetin spitalor?”, tha Shalsi. Ndërsa ka aluduar se mes përgjegjësit të ri të farmacisë spitalore në QSUT dhe kësaj firme ka lidhje.

a.k/NOA

KOMENTE