Itali, 31 tetor, NOA - Andi Gjoni e Altin Ndoka janë dy qytetarët shqiptarë që kanë rënë në prangat e policisë italiane për trafik droge. Dy të rinjtë shqiptarë janë arrestuar dje nga karabinierët në autostradën A14 në qytetin Forli.
Korrespodenti i Agjencisë NOA në Itali raporton se bashkë me dy shqiptarët është arrestuar dhe një italian, i cili punonte si taksixhi. Mendohet se të tre personat janë pjesë e një rrjeti që shpërndante drogë të llojit kokainë.
Korrespodenti i Agjencisë NOA në Itali citon policinë italiane, e cila ka dhënë detaje për operacionin.
Agjentët e antidrogës italiane kanë rënë fillimisht në gjurmët e 28 vjeçarit Andi Gjoni.
Pasi i janë vënë pas prej disa ditësh agjentët e policisë italiane kanë arritur në përfundimin se Gjoni do të bënte një shkëmbim kokaine gjatë ditëve të fundit. Skuadra e Antidrogës i ka vendosur atij përgjues dhe ka mbajtur nën mbikëqyrje për 24 orë gjatë javës së fundit.
Operacioni i policisë ka përfunduar paditen e djeshme kur 28-vjeçari ka shkuar në ndërmarrjen ku punonte si çdo ditë. Më pas në vendin e tij të punës është paraqitur dhe shqiptari tjetër Altin Ndoka.
26-vjeçari Ndoka ka shkuar në vendin e takimit me një taksi. Pasi kanë biseduar disa minuta, Gjoni ka hyrë në ndërtesë dhe ka marrë një pako, të cilën e ka ja ka dorëzuar bashkatdhetarit të tij.
Në këtë moment taksisti ka dalë nga makina dhe ka marrë nga bagazhi një pako që ja ka dorëzuar Gjonit.
Më pas dy shqiptarët janë ndarë, ndërkohë që policia ka vijuar dhe ndjekjen e makinës. Pasi është lënë të largohet për disa minuta, policia ka ndaluar makinë dhe ka bërë kontrollin e mjetit. Në të njëjtën kohë agjentë të tjerë kanë bërë dhe arrestimin e 28-vjeçarit.
Pas kontrollit që i bënë makinës, policia kontrolli dhe Altin Ndokën, i cili kish fshehur në mbathje rreth 525 gramë kokainë.
Sipas policisë vlera e kësaj sasi droge arrin nga 50 deri në 70 mijë euro.
a.k/NOA