English

Vendet e NATO, panik nga terrorizmi, kontroll i rreptë për avionët e mallrave

Berlin, 31 tetor, NOA – Specialistët e antiterrorizmit kanë deklaruar se pas rasteve të fundit të atentateve në SHBA, se strategjia kundër sulmeve kamikaze nuk ka funksionuar plotësisht.

Që pas 11 shtatorit të vitit 2001 gjithë vëmendja e agjencive të sigurisë ka qenë në avionët e pasagjerëve, duke shtuar masat, kontrollet e deri te vendosja e sistemeve me rreze që cenojnë privatësinë e pasagjerëve. Por kalimi i lëndëve eksplozive me avionët e mallrave dy ditë më parë, nxori në pah dhe problemin e gjithë skemës së ngritur nga vendet e NATO-s.

Strategjia e re e sigurisë që pritet të ndërmerret së shpejti ka të bëjë me shtimin e kontrollit të avionëve të mallrave.

Autoritetet gjermane duket se do të bëjnë të parët këtë hap. Drejtuesit e agjencive gjermane të sigurisë kanë ndërmarrë masa për evitimin e ngjarjeve të ngjashme, pas gjetjes së dy masave shpërthyese në një avion amerikan në Angli.

Ministria e Brendshme në Berlin bëri të ditur vendimin që në Gjermani të mos lejohet futja e asnjë bagazhi nga avionët e Jemenit.

Përveç kësaj do të kontrollohen edhe të gjitha mallrat që hyjnë transit nga ky vend nëpër Gjermani.

Ndërkohë autoritetet e sigurisë të Jemenit kanë arrestuar një grua, e cila dyshohet se i ka futur në avionë të dy paketat me eksploziv. Ajo dyshohet se i ka dërguar këto paketa në një adresë në Çikago, thuhet në Sana.

Atje janë gjetur edhe dhjetëra paketa të tjera të dyshimta. Këto masa u ndërmorën megjithëse ministri i Brendshëm Thomas de Maizière pati deklaruar se në Gjermani nuk ka nevojë për ashpërsimin e masave të sigurisë. Sipas tij, në këtë vend masat e sigurisë edhe deri tani kanë qenë në një nivel shumë të lartë.

a.k/NOA/DV

KOMENTE