Shkodër, 31 tetor, NOA – Policia e Shkodrës ka arritur të zbulojë një rrjet të kontrabandës së cigareve që kryhej nga Liqeni i Shkodrës. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se në prangat e policisë kanë rënë dy persona dhe janë sekuestruar 1250 steka me cigare të markës “Partner”.
Të arrestuarit janë Fatjon Laçaj, 27 vjeç, lindur dhe banues ne fshatin Alijaj të komunës Kastrat të Malësisë së Madhe dhe Luigj Ramaj , 46 vjeç ,lindur dhe banues ne fshatin Ivanaj, po nga Malësia e Madhe.
Korrespodenti i Agjencisë NOA citon burime të policisë të cilat deklarojnë se operacioni është organizuar nga forcat e rendit, ato të ruajtjes së kufirit dhe agjentë të anti-kontrabandës.
Operacioni është zhvilluar dje orës 22.15. Dy personat kanë qenë duke transportuar sasinë e cigareve rreth 200-300 metra në thellësi të Liqenit të Shkodrës. Llaçaj dhe Ramaja kanë qenë duke udhëtuar drejt Malit të Zi në afri të fshatit Flakë.
a.k/NOA