Tiranë, 1 nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë Karola Myler-Holtkemper, e cila, në emër të presidentit të ri të Gjermanisë, Kristian Vulf, i dorëzoi kryetarit të shtetit gurin që do të zërë vend në “Rrugën e Paqes”, mes shumë gurëve dhe pllakave të tjera të dhuruara prej personaliteteve të larta botërore.
Në këtë takim, ambasadorja gjermane shprehu konsideratën e lartë për rolin e Presidentit të Republikës në këtë nismë fisnike duke e quajtur këtë gur “një vlerësim për figurën e Nënë Terezës dhe simbol të miqësisë gjermano-shqiptare”.
Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe mirënjohjen për përgjigjen pozitive të presidentit gjerman, Kristian Vulf në mbështetje të nismës për “Rrugën e Paqes”.
Ai vuri në dukje se “ky gjest fisnik është një tjetër tregues në vijim të ndihmesës dhe mbështetjes së vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në proceset e saj më të rëndësishme të zhvillimit e të integrimit euroatlantik, të cilën ne e vlerësojmë, ashtu sikundër rikonfirmojmë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë”.
n.e/NOA