Tiranë, 1 nëntor, NOA – Këshilli Tatimor, një forum konsultativ teknik në lidhje me zbatimin e legjislacionit tatimor mes Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe tatimpaguesve, zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Financave morën pjesë zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, në cilësinë e bashkëkryetarit të Këshillit; drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Gazmend Spahija; Avokati i Tatimpaguesve, Artur Papajani; si dhe përfaqësues të tatimpaguesve nga dhoma të tregtisë dhe të industrisë, shoqata të biznesit, apo shoqata profesionale të kontabilistëve dhe të ekspertëve kontabël.
Duke folur për punën e Këshillit, Rushaj u shpreh se kjo iniciativë e qeverisë, me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II, të administruar nga USAID, ka si qëllim bashkëbisedimin me biznesin për të bërë të mundur unifikimin e praktikave tatimore dhe ballafaqimin e mendimeve teknike për saktësimin e interpretimit të legjislacionit tatimor në fuqi.
Bashkëkryetari i zgjedhur nga përfaqësuesit e tatimpaguesve në mbledhjen e sotme, zoti Fatmir Kazazi, nga Instituti i Këshilltarëve Fiskalë, shprehu besimin për kontributin e Këshillit në sigurimin e një trajtimi të barabartë të tatimpaguesve përmes procedurave të qarta dhe transparente.
Në bazë të rregullores së Miratuar nga Këshilli i Ministrave, Këshilli Tatimor, i parashikuar në Kodin e Procedurave Tatimore, përbëhet nga 18 anëtarë, 6 zyrtarë të lartë nga Ministria e Financave dhe DPT-ja, si dhe 12 përfaqësues të tatimpaguesve, të zgjedhur përmes një procesi të hapur të mbledhjes të kandidaturave dhe vendimmarrjes.
n.e/NOA