Tiranë, 1 nëntor, NOA – “Kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste – I nderuar zoti Ruçi,
Me këtë letër, dëshëroj t’Ju përshëndes si dhe t’Ju bëj me dije se, ne shqyrtuam, apo më saktë të themi, rishqyrtuam me vëmendje propozimin Tuaj të datës 15 Shtator. E kam fjalën për dokumentin që kryetari i PS, zoti Edi Rama, i dorëzoi kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Sali Berisha, në takimin e datës 22 tetor 2010, mes forcave politike parlamentare të vendit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për reformën zgjedhore, në të cilën kërkoni të zgjidhen të gjitha pretendimet Tuaja për zgjedhjet e 28 Qershorit.
Unë dua t’Ju siguroj se ne kemi vullnet të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave Tuaja, sikundër jemi të bindur se, në rast se ekziston vullnet nga ana Juaj, të gjitha pretendimet për zgjedhjet e 28 Qershorit mund të marrin përgjigje të plotë. Në këtë kontekst, më lejoni që të theksoj edhe një herë se:
Ndonëse, në dallim nga zgjedhjet parlamentare të mëparshme të vendit, në raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 28 Qershorit, nuk ekziston as edhe një sugjerim apo rekomandim për hetim parlamentar apo hetim tjetër të tyre, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kërkesave dhe pretendimeve Tuaja.
Ndonëse Kushtetuta e vendit dhe ligji për komisionet hetimore parlamentare, miratuar gjatë kohës që PS ka qenë në pushtet, nuk detyrojnë grupe parlamentare apo edhe deputetë të veçantë që të përfshihen në komisione hetimore parlamentare, ne do të marrim pjesë në Komisionin, që Ju dëshëroni të ngrini.
Ndonëse Ligji Nr. 8891, dt. 02.05.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore” në nenin 9 përcakton se përbërja e komisioneve parlamentare duhet të jetë në proporcion me përbërjen e parlamentit, ne kemi pranuar dhe pranojmë që Ju të kryesoni Komisionin dhe të keni shumicën në çdo votim të tij.
Ndonëse ekziston vendimi i Kuvendit nr. 25 dt. 19 mars 2010 për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet, ne jemi dakord të ngremë një komision të ri nga e para për hetimin e tyre.
Ndërkohë, ne Ju propozojmë që Komisioni Hetimor Parlamentar të ketë të gjithë kohën e nevojshme për të përmbushur detyrën e tij dhe kjo të realizohet duke zgjatur afatin e aktivitetit të tij.
Në propozimin Tuaj, Ju rendisni një seri çështjesh të lidhura me zgjedhjet për t’u hetuar dhe kërkoni hetim të pakufizuar për të gjitha ato.
Në një sistem demokratik, asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar dhe nuk mund të ndërmarrë hetim të pakufizuar. Kjo është sanksionuar qartë në vendimet 18 (2003), 26 (2006), 20 (2007) dhe 22 (2010) të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë bërë interpretimin e plotë kushtetues të kompetencave për komisionet hetimore parlamentare.
Ndaj jemi dakord të hetojmë së bashku çdo çështje, por kjo në përputhje me Kushtetutën e vendit, parimin e ndarjes së pushteteve, Kodin Zgjedhor, vendimet të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kanë të bëjnë me objektin e hetimit të komisioneve parlamentare dhe hetimin e zgjedhjeve.
Prandaj, ne propozojmë që të ngremë menjëherë Komisionin Hetimor, të nisim hetimet për të gjitha çështjet që Ju kërkoni, përveç atyre për të cilat ka vendime të formës së prerë dhe përfundimtare nga gjykatat e vendit ose janë juridiksion i tyre.
Ne propozojmë që, për hetimin e çështjeve për të cilat ka vendime të formës së prerë dhe përfundimtare nga Gjykatat e vendit, Ju, që këmbëngulni për hetim të pakufizuar, t’i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut për vendimin nr. 8 dt. 22.07.2009 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës, me të cilin është hedhur poshtë kërkesa Juaj për rinumërimin e votave. Ndërsa për vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 18 (2003), 26 (2006), 20 (2007) dhe 22 (2010), në të cilat kjo Gjykatë përcakton, apo më saktë, nuk lejon Komisionin Hetimor Parlamentar të hetojë çështje të juridiksionit të gjykatave, Ju mund t’i adresoheni Gjykatës Kushtetuese, e në rast se kjo e fundit dëshiron, t’i drejtohet pastaj Komisionit të Venecias për intepretimin e vendimeve të saj.
Ne Ju garantojmë se, në zbatim të vendimeve të gjykatave, jemi të gatshëm të rinumërojmë, rivlerësojmë çdo votë dhe të ndryshojmë e rivlerësojmë çdo rezultat.
Ju propozoni që ne të hetojmë zgjedhjet, duke shkelur nenin 178 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit “KQZ hap kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, i dërgon në arkiv dhe djeg njëkohësisht fletët e votimit”.
Kryetari juaj, me datë 22 Maj, deklaroi publikisht në media se, ai nuk e pranon nenin 178 të Kodit Zgjedhor, të votuar me konsensus të plotë nga PD dhe PS. Ne nuk pranojmë dhe nuk mund të pranojmë shkeljen e tij.
Por ne propozuam që, në pritje të vendimit të gjykatave, kutitë e votimit të qëndrojnë të paprekura dhe ndërkohë të hetojmë rreth të gjitha çështjeve të tjera që Ju keni kërkuar.
Nuk duhet të harroni se sekreti i votës është një nga kushtet më thelbësore të një procesi të lirë zgjedhor dhe zbatimi i plotë i Kodit Zgjedhor garanton, jo vetëm transparencën, por mbi të gjitha sekretin e votës, i cili është parim themelor për zgjedhje demokratike.
Ndërkaq, në rast se Ju hiqni dorë nga rinumërimi i votave, ne jemi dakord t’i kërkojmë KQZ-së të zbatojë nenin 178 te Kodit Zgjedhor për trajtimin e materialeve të votimit dhe të tërheqim nga arkivi të gjitha materialet që ai do të arkivojë aty.
Më datë 22 tetor ne u mblodhëm së bashku për reformën zgjedhore, pra për adresimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e ardhshme. Ne e vlerësuam pjesëmarrjen në këtë tryezë të kryetarit të PS, zotit Edi Rama.
Ne sërish e përsërisim propozimin tonë që në Komisionin e Reformës Zgjedhore ose edhe jashtë tij, në grupin Tuaj parlamentar, Ju të hartoni të gjitha amendamentet për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR. Shumica parlamentare do t’i votojë ato, pa asnjë ndryshim, pasi të keni marrë opinionin e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODHIR. Kjo për shkak se standartet ligjore të zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të jenë tjetër, veçse standartet ndërkombëtare.
Në tryezën parlamentare, por edhe në letrën që Ju i drejtuat kryetarëve të grupeve parlamentare të Parlamentit Europian, zotit J. Daul, zotit M. Schulz dhe Komisionerit Füle, Ju shpreheni se: “Kodi Zgjedhor është i mirë, por ai nuk është zbatuar dhe se për Ju ka rëndësi zbatimi i tij”.
Në të vërtetë, Kodi Zgjedhor aktual është tërësisht konsensual midis PD dhe PS dhe, sipas OSBE/ODHIR dhe Komisionit të Venecias, ai përbën bazë të plotë për zgjedhje demokratike. Por rekomandimet e OSBE/ODHIR, gjithashtu, duhen vlerësuar dhe adresuar si të dobishme për arritjen e standarteve më të larta të mundshme në këtë fushë.
Lidhur me garancitë e zbatimit të Kodit Zgjedhor, sigurisht, që institucionet e vendit dhe forcat politike kanë detyrimin e padiskutueshëm për zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të ligjit zgjedhor.
Por, fatmirësisht, zgjedhjet kanë edhe vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, me një praktikë të gjerë dhe metodologji të konsoliduar dhe gjithëpranuar në vëzhgimin e zbatimit të ligjit në të gjitha periudhat e procesit zgjedhor.
Në zgjedhjet e 29 Qershorit, çdo votë, procesverbal dhe dokument, për të gjitha kutitë e votimit, përveç vetëm pesë prej tyre, pra për 4749 kuti votimi, është i miratuar me unanimitet të plotë dhe ka firmën e mbi 20 mijë komisionerëve të PS.
Po kështu, zgjedhjet u vëzhguan nga rreth pesë mijë vëzhgues vendas, të cilët u shprehën se ato ishin të lira dhe të ndershme. Në raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 28 Qershorit, shkruhet se “nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultateve dhe numërim të parregullt”.
Në raport vërtet thuhet se pati probleme tektnike në 1/3 e qendrave të numërimit, por theksohet se “këto probleme nuk ndërhyjnë apo nuk ndikuan në procesin e numërimit të votave”.
Pavarësisht nga këto, ne jemi të hapur për t’i shqyrtuar të gjitha propozimet Tuaja dhe për t’i votuar ato pa mëdyshje, pasi të keni marrë opinionin e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODHIR-it.
Duke përfunduar, ne shpresojmë që, në rast se Ju jeni vërtet të interesuar, të vlerësoni ofertën tone, e cila përmban konsensusin tonë total për reformën zgjedhore dhe adresimin, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të të gjitha pretendimeve Tuaja për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009”.
NOA