Tiranë, 1 nëntor, NOA – Një delegacion i Lëvizjes për Bashkim, i përbërë nga kryetari Avni Klinaku; nënkryetari, Raif Qela; sekretari organizativ Sabit Gashi dhe dy anëtarë të tjerë, kanë qëndruar për një vizitë pune në Shqipëri.
Delegacioni i LB-së mori pjesë në kongresin e shpalljes së subjektit më të ri politik në Republikën e Shqipërisë “Lista për Shqipërinë Natyrale”, subjekt i cili qëllim kryesor të veprimtarisë politike ka bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe i cili udhëhiqet nga dr. Koço Danaj.
Takimin e parë zyrtar, Danaj e zhvilloi me përfaqësuesit e Lëvizjes për Bashkim, ku u analizua gjerë e gjatë situata politike në të gjitha trojet shqiptare dhe mundësitë e veprimit drejt bashkimit kombëtar.
Takimi ishte vëllazëror dhe palët u akorduan për të gjitha çështjet e diskutuara. Me këtë rast u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë reciprok dhe u arritën marrëveshje të rëndësishme.
n.e/NOA