Pse Migjeni na duket aktual sot? Është mungesa e theksuar e aktuales së mirëfilltë, mungesa e aktuales sot, moskuptimi i energjisë aktuale shoqërore e mendore te ne nga ana e letrarëve dhe mendim-bërësve, në shkrimin e sotëm shqip. Kjo e bën në fakt aktual Migjenin te ne. Kjo mungesë e moduleve të ngjashme, edhe të transformuara në kohë qysh nga koha kur pat shkruar Migjeni, kjo mungesa e punës së mirëfilltë letrare me diapozitivat, kjo e ri-aktualizon figurën e Migjenit sot te ne. Dhe nuk është aspak preokupimi, tashmë prej shoqatash, ajo që e sjell si mëse aktuale rolin e Migjenit.
Nga Idlir Azizi*
Disa muaj para vitit “Migjeni” në Shqipëri, në 100-vjetorin e lindjes së tij më 2011, kam përshtypjen se po dëgjojmë, qysh tani, uturimat e kritikës shqiptare migjeniane. Dashamire (natyrisht), por disi e cofur: nga profesori që shpall se këto “emra të ndaluar” i paska theksuar qysh në “ atë kohë” para 90-ës, e deri te gazetarja, që do të gjejë sërish e sërish imazhet e mjerimit migjenian nëpër rrugët e Tiranës.
Në këtë vit të dekadës së re të 2000-ës, mbase do na duhet të shohim disi ndryshe portretin e Migjenit, duke reflektuar mirë mbi mungesën që ne i kemi lënë atij. Mungesë e madhe, në fakt e Migjenit, i cili s’ ka qenë kurrë një fantazmë, as në letrat e as në mendjet shqipe. Si mungesa e tij nga faqet e mrekullueshme të albumeve të Marubit me përfshirjen e jetës fshatare, civile e kulturore të Shkodrës dikur. Përfshirjen, them, jo thjesht pasqyrimin vulgar.
Them “dikur”, pasi s’ka më sot, mesa shohim, as fotograf, as autor, që të na japë me po
ato dritë-hije një qytet e një epokë vetëm në disa fytyra tek-tuk. E kam fjalën për fytyra
të “popullit”, dhe jo për kitche dasmash, apo mbledhjesh të partive të pozitë-opozitës.
Mungesë e Migjenit edhe sepse sot është më e lehtë të thuash që s’ka fare Shqipëri mirëfilli. Ose, për të qenë më pak drastik: mungesë, sepse, në këtë vend, gjoja të sotëm, mazhoranca e autorëve duket se shkruajnë si në një vend që mund të jetë (ishte?) bahçe me lule. Ose, pjesa tjetër, thua se Shqipëria është veç vazhduese e tokave të Kanaanit e të kazanit mistiko-religjioz të botës perëndimore. Autorët e sotëm shqiptarë, “anakronikisht bashkëkohorë”, do mund të thoshte Jacques Rancière.
E natyrisht, e gjitha s’mund ta ketë bazën tjetërkund sesa të qëndrimi autorial e autoritar intelektual ndaj Popullit. Ndaj popullit si nocion e si fushë të ndarjes së Të ndjeshmes, dhe i së ardhmes; si domen i vërtetë i energjisë e i prodhimit e shkëmbimit të densiteteve poetike, dramaturgjike, artistike e arkitekturore.
Sa për “vlerat” - meraku i madh i prindërve tanë - ka se kush merret me to!
Në këtë vit të Migjenit, mbase do mund të bëjmë vërtetë një evokim poetiko-politik të mirëfilltë të tij; dhe jo një vit xhenazesh kritiko-televizive.
Sepse duket nga poezitë e nga skicat e tij, që preokupimi migjenian lidhur me “popullin”, është i paprecedent në letërsinë shqipe para tij, e mbetet disi i tillë edhe sot e kësaj dite.
Autori që na hapi për herë të parë skenën e sociales, që u bë i pari shkrues-depistues socio-poetik, në një vend e në një letërsi ku mbizotëronin vestizhet epiko-legjendare, vagnerizmi i tepruar fishtian dhe Rilindja më e vonuar në Europë.
Nëpër “ letrën e zhubravitur” që la pas Rozafa e muruar e legjendës (në një letër sa memece, aq dhe llafazane, do mund të thoshte sërish Rancière), Migjeni arriti të na nxjerrë në dritë fuqinë e detajit aktual; dhe më tepër, preokupimin me atë që është tashmë vërtet e popullit: një palë këpucë nxënësi, dy duar pas kurrizit të të papunit, një vrimë interesante në parketin e një dhomës së prostitutës ...
Askush tjetër para tij në Shqipëri nuk kishte dalë para “ popullit” , dhe me një mungesë të atillë apriorish, saqë është përshtypje-lënëse edhe sot. Sot e kësaj dite pikërisht, në hordhinë e gjestualitetit të elitizmave, qoftë edhe të majtë, nga mendim-bërësit në Tiranë, veçanërisht.
Ndoshta ka ardhur koha, që këtë njëqindvjetor të mos e kemi më problem Migjenin si poet edhe melankolik, edhe revolucionar. Ndoshta tejkalohet edhe ai logjikimi rreth tij si gjoja poet i ish komunizmit tonë dhe si këngëtar sublim i mjerimit feudal. Nga mungesa që kemi sot, ne autorët veçanërisht e letrarët, nga mungesa e madhe e raportit socio-poetik me popullin (dhe jo me folklorin e me populizmin!), është për t’u vënë në dukje tashmë një forcë e Migjenit, edhe aty ku ne kemi menduar për vite e vite se kemi të bëjmë vetëm me një praktikant të të pafuqishmit ndaj injorancës dhe mjerimit.
Migjeni është autori që ka ndërfutur më së pari Aktualen në letrat shqipe. Ai arriti të shohë, mes historisë së ngarkuar e mes analfabetizmit të atëhershëm, poezinë e vështirë të aktuales dhe emancipimin e zorshëm me anë të saj. Për herë të parë ne kemi patur një poet, i cili ka ndjerë, mesa duket, se shkruan e sheh në një periudhë ku gjithkund po ndodhte “fuzionimi, shkrirja ekonomiko-shtetërore”. A ishte vallë edhe lexues i Marx-it sa dhe Hugosë? Prej tij ne kemi tashmë të regjistruar në shqip përsiatjet mbi nocionin e punës, autori që filloi ta gradojë vështrimin në hyrje të epokës kapitaliste europiane. Në këtë aliazh të modernes, zanat dhe kapedanët rijnë veç memecë e njëkohësisht me prani llafazane, në cepin e skenës socio-politike të vendit. Migjeni ka hapur një “ vrimë interesante”, ose vrima në realitet, nga ato që zor s’ e mbyllen më, ku roli i poetit mbetet të vuajë thellë e më thellë, pikërisht ngaqë arrin të shohë thellë e më thellë.
Dy tre pista poetike e konceptuale do na dilnin për të evokuar forcën e studimit të heshtur e të brishtë të Migjenit, ku ai duket që e ka tërhequr vështrimin nga vija e horizontit për ta përshpejtuar mes sistemit dhe gjërave.
Autori ka sajuar një shpend melankolik, një zog vetëvrasës, është i pari që ka lënë pas imazhet e një vullneti për fuqi. Metamorfoza e habitshme e Trumcakut, që shndërrohet në melankolik, e që rrëzohet mandej me dashje vertikalisht drejt një vdekjeje që duket se lë vend për imanentë, e që bëhet një përrallë nga e ardhmja. Ironia e ethshme e Migjenit, që “preokupohet” për lexuesin, se mund t’i duket kjo parabolë trill e alogjike, shenja e parë e vullnetit për fuqi, dhe jo e dëshirës për pushtet, nga autori mësues thatim, nga të rrallët që s’pati kurrë lidhje me qeveritë e me kastat e shtetit.
Migjeni mbetet i pari që ka futur në shqip një raport kundra pushtetar: ndërfutja e vetëvrasjes, një akt “jashtë-mjekësor”, ku mjekësisë nuk i mbetet fjalë për të thënë, e kështu as pushtet për të ushtruar. Një parabolë po aq me gërricje të ligjërimit fetar e autoritetit biblik: trumcaku i imët para historisë stërmadhe të Gjenezës (hocus pocus!). Ashtu si dërdëllitjet e artit dhe politikës sonë të sotme, në Shqipëri e Kosovë, historitë stër-mëdha të asoc-integrimit tonë, duke margjinalizuar përherë e më tej jetën e imët të “ popullit” .
Një rënie e zogut-subjekt, e shpendit që i kthehet historisë së njeriut pikërisht nga kjo
metamorfozë e gjendjes, në ritmin e marshit funebër të Chopin-it (një tjetër krijues që
punonte mes valsit të brishtë dhe etydit revolucionar).
Ky trumcaku që operon me “ fuqi të trishta” (Deleuze) është personazhi fantastik i një letërsie realiste shqipe, asaj të Migjenit, ku na tregohet në nëntekst të largët se Zoti ka qenë i vetmi performer pa publik; ai që s’ ka patur kurrë spektatorë, por që vdes për përfaqësues.
Po aq mbase gjejmë fuqi vitin tjetër ta anashkalojmë atë xokullën e ndryshkur të “ aplikimit” të mjerimit migjenian. Atë mjerimin gjoja aktual, ose kinse aktualitetin e sotëm të Migjenit. Mjerimi, që për Migjenin është një fushë studimi, një “ sensibël” , një raport i vërtet i asaj sensibiles ranceriane, pikërisht se nuk është vetëm produkt i kushteve të këqija, jo vetëm nënprodukt i politikës së shtetit, por edhe mënjanim i letërsisë nga jeta e vërtetë, nga bota si e tillë, sajë ezoterizmit poetik e politik te ne, që e pat trajtuar dhe e trajton popullin ende si një të pabarabartë të padiskutueshëm; si një injorancë e varfëri sui generis; si një meritues të qeverive që i bien mbi kokë.
Mjerimi: duket më shumë hyrje në mjekësinë e poetikes shqipe, për herë të parë; është
mbase Letra lutherane e Migjenit, që ne e kemi anashkaluar, nëpër komentet moraliste
të ish komunizmit dhe në revanshin e religjiozitetit të kapitalizmit tonë të sotëm e të
padiskutueshëm.
Migjeni flet në vend të të uriturve, në vend të të mjerëve. Ai që nuk ka po atë mungesë buke e duke qenë përfaqësues i shtresës së mesme rrogëtare. Por është naive të mendojmë se ai preokupohet për disa kile mish më tepër. Ajo që merr përsipër Migjeni është defigurimi, zbulimi i tij: jo thjesht pasoja e urisë, por kushtëzimi njerëzor e qytetar nën velin e saj, ai kushtëzim në skenën e urisë. Si një autor që zhbiron seksin, Migjeni zhbiron me imtësi urinë.
Mes lugjeve të verdha të Logos-it, ai fillon të ndërtojë poetiken e aktuales dhe të rizbulojë
popullin real, aty ku ai ka qenë i balsamosur, ose si llaç i legjendares. Poet i vërtet i imazhit, ai arrin të gjejë, përtej rrogave, përtej dallimeve në mënyrën e jetesës, sëmundjen e vërtetë. Dhe është fakti se Imazhi e ka tani sëmundjen, dhe që e bën jetën më të zorshme. Imazhi, dëmtimi i tij, e deri te mungesa e tij e mirëfilli. Problemi më aktual i Shqipërisë dhe Kosovës së sotme, lidhur me reflektimin e vet para botës, e ca më rëndë, para vetvetes. Mjerimi, uria, etj janë zonat politike e mendore të vendit, ku Migjeni tuberkular ka arritur gjithsesi të injektojë vrullin e ri, paprecedent te ne, të lëvizjes njerëzore në varg e narracion.
Aktualja e tij dhe vështrimi i ri, me të cilën ai duket i jep një energeia, të afërt me Aristotelin, por ndoshta më pranë Nietzsche-s. Më në fund në poezinë tonë dikush shpiku sy, përshpejtoi vështrimin. Ai i ka parë urinë e mjerimin si dispozitiva të punës së vet poetike e konceptuale.
Pse Migjeni na duket aktual sot? Është mungesa e theksuar e aktuales së mirëfilltë, mungesa e aktuales sot, moskuptimi i energjisë aktuale shoqërore e mendore te ne nga ana e letrarëve dhe mendim-bërësve, në shkrimin e sotëm shqip. Kjo e bën në fakt aktual Migjenin te ne. Kjo mungesë e moduleve të ngjashme, edhe të transformuara në kohë qysh nga koha kur pat shkruar Migjeni, kjo mungesa e punës së mirëfilltë letrare me diapozitivat, kjo e ri-aktualizon figurën e Migjenit sot te ne. Dhe nuk është aspak preokupimi, tashmë prej shoqatash, ajo që e sjell si mëse aktuale rolin e Migjenit.
I pari vetvendosës në letrat shqipe, Migjeni është autori që ka synuar në radhë të parë Zërin. Koncerti recital solo i malësorit para malit gjeografik e legjendar, ka futur në shqip një dramaturgji, që as poetika e as filozofia shqipe nuk e kanë trajtuar në mënyrë të denjë, kurrë. Migjeni është autori i një “ qeshjeje” , ajo grimasa me të cilën njeriu fillon Bërjen (Devenir). Një qeshje, as histerike, as pronë-fituese e malësorit; është intervali që ai na e ka lënë, pa dashje mbase, nga ditirambi niçean për te flladi foucauldian ...
“Programi” vetëvendosës i malësorit ka ardhur pikërisht me përcaktimin e synimit për një grusht të paligjshëm. Që në këtë rast është përballja me atë që ligji gjen rastin ta justifikojë, nën shumë emra, atë që pushteti e ngjesh kundër popullit, e ca më keq, edhe në emër të vetë popullit. Por në emër të popullit legjendar e të “ idhujve pâ krena” nën serumin e imazheve të televizualizuara. Jo të atij populli që i është nënshtruar një Nomos-i,vargut me emra e terma që e mbajnë të vithisur e nën hyqmin e përfaqësueseve të tij. Të jashtë-ligjshëm, domethënë nën ligje të tjera...
Me atë grusht ku malësori synon zemrën e malit, ose zërin e koaguluar mes kimerave, zëri minerar, xeheror i minoritares, i malësorit minoritar, akti i atij që ka nisur mbase pa dashje të vetëvendosë, përmes emrave të historisë që “privatizonte” me furi Nietzsche dikur.
Vendosja antologjike e Migjenit në letërsinë shqipe, por triumfi afatshkurtër i aktuales së
mirëfilltë të poezisë së tij, na tregojnë sot raportin krejt shterpë mes krijuesit dhe “ popullit”. Nuk është tashmë çudi gjithë një letërsi e burokratizuar shqipe. Një mungesë e theksuar e leximit e të rishqyrtimit të dramaturgjisë e të konceptuales së poezisë shqipe, jo vetëm të ndonjë metafore me vlerë mbarëshqiptare. Në letrat tona të sotme, ndihet, fatkeqësisht, ndikimi i politikës gjoja pluraliste, ajo që me mekanizmin e harresës së të djeshmes, ka infiltruar, në popull, vetëkënaqësinë e të tashmes absolute dhe dhunën e mirë-mbajtur të përfaqësimit.
E kësisoj një letërsi shqipe, një mendim shqip letrar e poetik e politik, ku, dashje pa dashje, vetëm sa asistojmë në kopulimin e flligshtë mes të dhunuarit e vetë dhunës. Sepse po aq naive duket tani, pas disa vitesh me Shqipëri-si-shoqëri (jo si atdhe), pas disa ndërhyrjesh qoftë dhe të pakta politike e konceptuale nën qiellin konservë të post-perestrojkës e të diktaturës televizive, se Migjeni ka qenë denoncues thjesht i një regjimi apo i një mbretërie. Naive po aq dhe gumëzhitja e gjatë se poezia e tij thjesht ka paraprirë komunizmin tonë cung shqiptar, komunizëm që vetëm sa mori disa lugë çaji ideologjike prej emancipimit pa kufij të Migjenit (vetëm në atë komunizëm që melankolia s’ kishte vend; sikundër po aq tmerr e ka sot atë lloj melankolie kapitalizmi i sotëm planetar performativo sportiv).
Duke dekonstruktuar ikonën, me poezinë tij Migjeni ka arritur të shohë popullin e vërtetë. Poeti i ekstazës. Më tej se preokupimi i Trakl-it mbi shpirtin si gjëja që ekziston më çuditshëm mbi dhé, nën këtë ekstazë të Migjenit, ne mund të arrijmë të shohim se në fakt Populli është gjëja më masive që anashkalohet mbi dhé. Emri vetëvendosës i popullit të mirëfilltë qarkon skicat e poezitë e Migjenit, ai që madhërisht na flet për një popull të “ lotit”:
... rrokulliset nga ftyra, bie në tokë e thërrmijet,
E ndër thërrmija të vogla të lotit një një njeri lindet.
Të paktën pra një shumëfshim me kthjelltësi; një difraskion i mundshëm i origjinës; dhe një “përfaqësim” i vetë njerëzve duke soditur brendinë e vet.
* Analizë e dërguar nga autori