English

Në Malmë të Suedisë mbahet festivali i krijuesve nga diaspora

Malmë, 1 nëntor, NOA - Në qytetin e Malmës, në Suedi, Unioni i shoqatave shqiptare organizoi festivalin e VIII-të të poezisë dhe muzikës krijuese shqiptare në Diasporë.

Për të marrë pjesë në këtë manifestim, të vetmin e këtij lloji në tërë diasporën shqiptare, konkuruan shumë krijues, por gjatë festivalit të përzgjedhura nga Këshilli Artistik u prezantuan krijimet e tyre 24 krijuesve të fushës së letrave nga disa vende të Evropës dhe një muzikant nga Suedia.

Juria përzgjodhi si fituese të çmimit të parë të poezisë me një hspërblim prej 300 eurosh, Afërdita Xanin për poezinë “Dhembja ime vetëm unë të njoh”.

Vendin e dytë e ndanë Yllka Sheqiri me poezinë “Pa titull” dhe Liridona Jakupi me poezinë “Për Ty, jo!”.

Vendin i tretë i takoi dy krijuesve Gafurr Kabashi, nga Franca me poezinë ”Merdare” dhe Qerim Raqi nga Suedia me poezinë “Tmerrësisht vonë të nisem”.

Çmimin “Kosovë rexha-Bala”, që është një komplet librash të botuara nga krijuesit në diasporë, sivjet e mori Ibrahim Abedini për poezinë “Loti i Pavarësisë”, kurse shpërblimin që ndau Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës e mori Mexhide Kyçyku, krijuese nga qyteti Malmë.

Po kështu juria vendosi që të shpërblejë për veprën më të mirë muzikore kompozitorin Ahmet Bella, për kompozimin për piano “Elegji për heronjtë e kombit”.

Në kuadër të manifestimeve të këtij festivali, u promovuan edhe katër libra dhe një film artistik të realizuar brenda periudhës mes festivalit të mëparshëm dhe këtij të sivjetëm.

Në këtë festival morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci dhe ai i Shqipërisë në Danimarkë, Arben Cici.

I ftuar i festivalit ishte edhe Sami Piraj, drejtor i Departamentit për Kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, departament ky që, mbështet këtë festival bashkë me krijues e personalitete suedeze.

mit/NOA
KOMENTE