English

Oferta e opozitës, PD: Gati për hetimin, por, vetëm “Zoti” është i pakufizuar

Tiranë, 1 nëntor, NOA – “Të gatshëm për ngritjen e komisionit hetimor, për hetimin e zgjedhjeve, por asnjë institucion nuk gëzon pushtet të pakufizuar”.

Kështu i është përgjigjur ofertës së Partisë Socialiste, mazhoranca e djathtë, që i përgjigjet pretendimeve të kësaj oferte, 10 ditë pas dorëzimit në tryezën për reformën zgjedhore në dorën e kryeministrit Berisha nga vetë lideri i opozitës Edi Rama.

Në përgjigje të ofertës kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i ka nisur një letër kreut të grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ku e siguron atë se PD është gati për hetimin e zgjedhjeve dhe ngritjen e komisionit hetimor, duke nënvizuar se mazhoranca është gati për hetimin por duke respektuar kushtetutën.

“E rishqyrtuam ofertën tuaj. Pranojmë që komisioni të ketë kohën e duhur për të punuar. Ju kërkoni hetim të pakufizuar. Por, asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar”, shkruhet në letrën e zotit Patozi.

Ai e siguron zotin Ruçi se “Jemi gati të marrim pjesë në komisionin që dëshironi. Ne pranojmë që të ngremë komisionin dhe ju të keni drejtimin dhe shumicën”.

Por, në letër Patozi këmbëngul se nuk mund të ketë hetim të pakufizuar dhe asnjë institucion nuk mund të ketë kompetenca të tilla.

Madje, kryetari i Grupit të PD-së, thekson se nuk nuk mund të ketë hetim për ato çështje për të cilat ka vendosur Gjykata e Apelit në formë të prerë, andaj shkruan ai në letër, hetimi duhet të bëhet sipas parimit të pushteteve, duke nënvizuar se për vendimet e formës së prerë socialistët mund t’i drejtohen gjykatës së Strasburgut.

Patozi kërkoi nga socialistët që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe më pas ajo t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Për përgjigjen e dërguar nga kreu i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, që pritet të vendosë edhe pjesëmarrjen ose jo të opozitës në tryezën për reformën zgjedhore, për të cilën opozita u shpreh të enjten në Parlament se nuk do të bëjë asnjë diskutim për kodin zgjedhor pa iu përgjigjur kërkesave të saj, është shprehur sot gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të PD-së edhe kreu i mazhorancës, Sali Berisha, i cuili theksoi se “Sot zoti Patozi i dorëzoi përgjigjen kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që mendoj se është një përgjigje që plotëson tërësisht të gjitha kërkesat e opozitës, përveç asaj që kërkojnë të pakufizuar, ne nuk mund ta realizojmë. Atë mund ta realizojë vetëm Ai që është lart në qiell dhe ne tokësorët nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”, tha shefi i mazhorancës, Berisha.

Ai e vlerësoi përgjigjen si një përgjigje të drejtë dhe konstruktive, që i krijon hapësirë të madhe opozitës për të zgjidhur të gjitha pretendimet e saj.

mit/NOA
KOMENTE