Tiranë, 1 nëntor, NOA – Çështja e Kosovës dhe integrimi ekonomik dhe energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës ishin në qendër të takimit që zëvendëskryeministri Ilir Meta pati me kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacollin.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta e garantoi kryetarin e AKR-së për të vazhduar bashkëpunimin në procesin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, duke shprehur po ashtu dëshirën që edhe sa i përket situatës së tanishme politike në Kosovë, gjithçka të zhvillohet në mënyrë të matur.
“Unë besoj se angazhimi edhe i kësaj Aleance do të jetë pikërisht në këtë drejtim, pasi është e domosdoshme që interesat kombëtare të prevalojnë dhe që Kosova pas zgjedhjeve të përgjithshme të jetë edhe më e konsoliduar, por edhe më e përgatitur për të marrë përgjegjësi më të mëdha, jo vetëm për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, por edhe për të ardhmen e qytetarëve të rajonit”, tha zoti Meta.
Vetë kreu i AKR-së, Pacolli tha gjatë prononcimit për mediat se “Kosova gjendet në një moment krize institucionale, siç e dini. AKR-ja ishte ajo që paraqiti mocionin në Kuvendin e Kosovës dhe nesër do të votohet ai mocion”.
Sipas Pacollit, mocioni është për shkarkimin e qeverisë së Hashim Thaçit, një gjysmë qeverie, sikundër e quajti zoti Pacolli, pasi sipas tij deri tani në Kosovë është vepruar thuajse në mënyrë klandesine.
“Kishim një president, i cili theu Kushtetutën, por jo vetëm ai, i mbështetur dhe nga partia e tij. Porsa u largua, ai tërhoqi pas vetes edhe një numër ministrash, në mënyrë jo kushtetuese. Ndaj, unë e pashë të drejtë të nisja këtë mocion. Nuk kemi favorizuar askënd. Jemi në anën e qytetarëve, kemi punuar për interesat e qytetarëve dhe unë besoj se do t’i jepet shansi qytetarëve të Kosovës që të zgjedhin të drejtën e tyre”, siguroi kreu i AKR-së.
Por, zëvendëskryeministri Meta lidhur me mocionin e mosbesimit abstenoi në përgjigjen e tij miratuese apo refuzuese, pasi e cilësoi atë si një çështje që i takon Parlamentit të Kosovës dhe forcave politike në Kosovë.
“Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me qeverinë aktuale por, sikurse e shihni, kemi marrëdhënie shumë të mira edhe me AKR-në, si një forcë opozitare, e cila ka idetë e saj për progresin”, tha Meta.
Gjatë takimit zëvendëskryeministri Ilir Meta, e njohu kryetarin e AKR-së, Bexhet pacolli, me angazhimet e qeverisë shqiptare për proceset integruese të Shqipërisë, si dhe shprehu angazhimin e plotë të tij për një bashkëpunim të ngushtë në fushën ekonomike në interes të dy vendeve.
Meta dhe Pacolli diskutuan edhe mbi përshpejtimin e ritmit të integrimit ekonomik dhe energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Për kryetarin e AKR-së, problemi ekonomik i Shqipërisë është dhe problemi ekonomik i Kosovës, pasi sikundër tha ai ekonomia e Kosovës varet nga mbarëvajtja e ekonomisë së Shqipërisë.
“Ne biseduam me ministrin Meta për planet e ardhshme. Mua më intereson shumë që ekonomia e Shqipërisë, së bashku me ekonominë e Kosovës, të jetë e integruar edhe jashtë kufijve. Ne do të kemi shansin që të punojmë dhe të bëjmë ndërlidhjet ekonomike me shtetet e tjera të botës”, premtoi gjatë prononcimit të tij kryetari i AKR-së, Bexhet Pacolli.
mit/NOA