Deklarata e Rizajt, sot në gjyq: “Në atdheun tim, Shqipërinë, kur një djalë lind, nëna na vë poshtë krevatit një pistoletë dhe jo bebilina”. Edhe një grup me disa shqiptarë dërgohen në burg dhe janë nën akuzë për bashkëpunim dhe dhënie ndihme në arratinë e Alket Rizajt
Athinë, 1 Nëntor 2010 NOA – Prokuroria e Athinës deklaroi sot fajtor Alket Rizajn dhe personat e tjerë të përfshirë në arratisjen e bujshme që ndodhi shkurtin e kaluar nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalos, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Seanca ku fjalën e kishte prokuroria, u zhvillua sot për disa orë dhe përfundoi pasdite vonë, informon korrespondenti i NOA. Në seancë, është zhvilluar një debat i fortë sepse ka shpërthyer Alket Rizaj duke u betuar publikisht: “Do të dal nga burgu, ju betohem se do ta bëj sërish”.
Sakaq, prokurori lajmëroi sot se dhe një grup me disa shqiptarë dërgohen në burg dhe janë nën akuzë për bashkëpunim dhe dhënie ndihme në arratinë e Alket Rizajt, strehua dhe mbajtur ata me ushqim, etj.
***
Në seancën e sotme, në emër të grupit të prokurorëve, foli z. Jorgos Angjelis, i cili kërkoi që Alket Rizaj, Vasili Paleokosta, Shula (Aspasia Mitropia), të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të jepet dënimi maksimal që parashikohet për arratisje të kryer në bashkëpunim më 22 shkurt 2009.
Prokurori tha se ishte Shula, çelësi i arratisë dhe pse ajo nuk e pranon akuzën: “Ishte Aspasi Mitropia e cila organizoi arratinë duke marrë me një helikopter me qera. Ajo gjendej në helikopter dhe për këtë nuk ka dyshim”, - deklaroi Angjelis.
Kjo pasoi refuzimin e Shulës e cila reagoi: “Unë nuk kam qenë në helikopter. Ju nuk keni asnjë provë për këtë”.
Këtu prokurori vazhdoi: “Skema është e qartë dhe e thjeshtë. Ata kishin nevojë për një grua, sepse prania e femrës nuk është dyshim, Alket Rizaj, veproi dhe në emër të Paleokostas”.
Ndërkohë, Alket RIzaj, lëshoi premtimin: “Unë kam kaluar 13 vjet në burgje. Kam për të bërë dhe katër të tjera e asnjë më shumë. Do të bëj si do bëj dhe do dal. Cirk të bëjë policia, unë ju betohem se do dal nga burgu”, - premtoi publikisht në seancë Alket Rizaj.
Rizaj ka pranuar se paratë që u deshën për të kryer arratinë i solli Paleokosta dhe ai i kishte fituar nga rrëmbimi i biznesmenit të njohur Jorgos Milona, i cili ka biznese të investuara dhe në Shqipëri (Elbasan).
Kurse në përfundim ka deklaruar: “Në atdheun tim, Shqipërinë, kur një djalë lind, nëna na vë poshtë krevatit një pistoletë dhe jo bebilina”.
Seanca këtu u mbyll dhe u la që më 10 nëntor të jetë fjala e fundit e avokatëve mbrojtës që do t’i lërë radhën gjyqtarëve të shpallin vendimin.
Seanca e mëparshmeAthinë, NOA - Alket Rizaj, shqiptari 35-vjeçar që i ka bërë zbor policisë rregullisht këto katër vitet e fundit, u mor në pyetje nga grupi i prokurorëve të ngritur posaçërisht për të hetuar akuzat mbi të, ndërsa bie në sy rënia e akuzave të hedhura paraprakisht, për vrasje.
Në dosje deri tani janë katër mijë faqe të mbushura plot me materiale që prokuroria thotë se janë prova të vlefshme për të dënuar Rizajn.
Alket Rizaj, 35 vjeçar nga Fieri, përballet aktualisht me 11 akuza, të cilat janë krijim bande kriminale, pjesëmarrje në bandë kriminale, ushtrim aktiviteti kriminal në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, kanosje për jetën, referuar kërcënimit me armë që i bëri pilotit kur u arratis me helikopter, shkelje e përdorimit të territorit ajror përmes mjeteve fluturuese, largim nga vendi i vuajtjes së dënimit, vjedhje e pasurisë së tjetrit, prishje e rendit dhe qetësisë publike, falsifikim dokumentesh shtetërore.Me një pjesë të këtyre akuzave, u njohën dhe u përballën sot edhe e dashura e tij greke Shula si dhe një çift i ri shqiptarësh, emrat e të cilëve nuk publikohen por konfirmohet se ata janë kushërinj të largët të Alketit.
Doza ironie
Plot ironi në fytyrë por edhe në ato që tha në sallën e marrjes në pyetje të Prokurorisë së Athinës, Alket Rizaj, i konsideruar deri para pak ditësh si i huaji më i kërkuar dhe një ndër super të kërkuarit e policisë greke, mori sot masën e sigurisë të arrestit me burg pa afat.
"Unë ju them këtu të gjithëve që ta keni të qartë: Njerëzit që mua më kanë ndihmuar, harrojeni, nuk i tradhtoj. E bëj këtë thjeshtë dhe vetëm sepse unë i urrej spiunët", - u shpreh Rizaj në Prokurori.
Marrja në pyetje
Në seancën e sotme, Rizaj u pyet gjatë mbi arratinë e ndodhur 22 shkurtin e kaluar nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalo nga ku i riu shqiptar bashkë me grekun më të kërkuar Niko Paleokosta u arratisën me helikopter.
Një arrati që gjithsesi ishte e dyta pasi më 4 qershor 2006, sërish Rizaj ishte arratisur me helikopter, atëherë nga paraburgimi policor i Pireut.
Rizaj ka marrë të gjithë përgjegjësinë për arratinë, planin dhe të gjithë skenarin e saj duke thënë se arratia e tipit hollivudian ishte vetëm një plan i përgatitur prej tij, ku Paleokosta nuk kishte gisht.
Duke iu kërkuar detaje mbi arratinë dhe si u arrit ajo me sukses, përgjigjja ishte: Harroni të mësoni më shumë".
I pyetur mbi armët që iu gjetën në banesë, një "Kallashnikov", një "Scorpion", dy pistoleta, pesë bomba dore dhe shumë municione, Rizaj tha se i mbante ato për mbrojtje personale dhe kurrsesi për të kryer ndonjë aktivitet kriminal.
Humori i Rizajt, nuk u ndal edhe kur u ridërgua në qeli. Me të dalë nga zyra e marrjes në pyetje në prokurori, shefi i policisë që e shoqëroi deri në mikrobusin e blinduar, e pyeti: "Si vajti me prokurorët" dhe përgjigjja që mori nga Rizaj, ishte: "Më lanë të lirë".
***
Paleokosta
Rizaj, mohoi të japë qoftë dhe informacionin më të vogël për vendndodhjen e të shumëkërkuarit grek Niko Paleokosta dhe theksoi: Më mirë vdes, se sa të tregoj se ku ndodhet Nikua".
E dashura
Pas Rizajt, në pyetje është marrë dhe e dashura e tij Aspasia Mitropia e njohur si Shula. Ajo dyshohet si arkitekte e arrative me helikopterë.
Në seancë, 34-vjeçarja helene Shula vendosi të ushtrojë të drejtën e heshtjes duke deklaruar se nuk ka ndërmen të shprehet për akuzat që i vishen.
Gjithsesi asaj iu bë e qartë se kishte organizuar marrjen e helikopterit me qera në shkurt 2009 duke u prezantuar te kompania private si një shtetase ruse me emrin Lilian Aleksandrova.
Madje e dyshuara me një thikë në dorë, ka kërcënuar për vdekje pilotin që ai të ulej në burgun e Koridhalosit të merrte të dashurin e saj.
Njohja me Shulën
Ndërkohë është zbardhur edhe si janë njohur Alketi me Shulën. Gjithçka ka ndodhur plot dhjetë vjet më parë në lagjen "Peristeri" të Athinës. Atëherë 24 vjeçe, Shula punonte si parukiere. Ajo ishte grua e ndarë, nënë e dy fëmijëve. E cilësuar nga policia si grua-burrë për shkak të karakterit të fortë të saj maskilist.
Edhe një tjetër nën akuzë
Nën akuzë është edhe Hrisanthos Anagnostopulos i cili dyshohet se i ka dhënë Alket Rizajt, makinën e blinduar tip "Benz Mercedes" e cila ditë më parë u përfol të ishte e një biznesmeni që aludohej të ishte vrarë me përfshirjen e Alket Rizajt. Ai mohoi të jetë i përfshirë në arratinë e Rizajt duke thënë se thjeshtë kishte shitur makinë dhe Alketi e kishte blerë atë duke paguar që në fillim një paradhënie.
Flet dhe nëna e Rizajt: Im bir nuk është vrasës
Ditën e sotme, ka folur për mediat greke, nëna e Alket Rizajt. Ajo kërkoi gjykim të drejtë për të birin dhe theksoi se nëse Alketi është fajtor, vetë ajo do ta vriste: "Në rast se vërtetohet që im bir Alketi është kriminel, nëse vërtetohet se ai ka vrarë ndokënd, vetë unë do ta vras tim bir", - deklaroi Donika Rizaj.
Kurse shtoi: "Nëse ka drejtësi, drejtësi të vërtetë, ajo të bëjë punën e saj me seriozitet dhe akuzat që ngre ndaj tij, të ketë kujdes mos jenë gënjeshtra", - ka apeluar Donika Rizaj.
Në përfundim, Donika Rizaj në emisionin informativ të Alpha Tv, shprehu me forcë bindjen se i biri është i pafajshëm: "Gjithë ato akuza që kemi dëgjuar kundrejt tij, janë të padrejta sepse im bir nuk është kriminel. Thjeshtë i kanë hedhur ca akuza të pavërteta", - tha Donika Rizaj.
Më tej ajo ka treguar se ka plot 12 vjet që nuk e sheh të birin, ndërsa pohon se ka edhe tre fëmijë të tjerë që jetojnë e punojnë në vende të tjera të Evropës dhe kurrë nuk kanë pasur probleme me drejtësinë.
"Unë kam katër djem, që të gjithë të mirë, njëri më i mirë se tjetri. Kudo ku kanë jetuar e punuar, kanë qenë të pastër dhe të sjellshëm. Nëse nuk do ishte kështu unë do të isha pasanike dhe ju do më gjenit në luks si shumë të tjerë që i kanë bërë pasuritë me para të pista", ka thënë Donika Rizaj, në rrëfimin e saj për Alpha tv e cila realizoi një reportazh me familjen e Alketit, duke demonstruar dhe faktin se banesa e tyre në Ballsh i përkiste një shtrese të varfër sociale.
/n.s/e.r/f.sh/NOA/ - Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i lajmit dhe fotove, prodhim i agjencisë NOA, nëse nuk citohet burimi NOA