Tiranë, 1 nëntor, NOA – “Sali Berisha do të hyjë në histori si mjeku që shkatërroi sistemin e shëndetësisë shqiptare”.
Selia rozë ka vijuar sot akuzat për papërgjegjshmëri në sistemin shëndetësor duke deklaruar se Qeveria e Sali Berishës ka dështuar plotësisht me reformën në sektorin e shëndetësisë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Eltar Deda në një konferencë për shtyp tha se edhe pse kryeministri Sali Berisha e shpalli si prioritet sektori i shëndetësisë, ai është transformuar sot në një tjetër pamje të fytyrës së korrupsionit, të qeverisë.
“Sali Berisha dhe Petrit Vasili mesa sa duket gjenden në vështirësi dhe e kanë të pamundur t’u kthejnë përgjigje disa shqetësimeve të pacientëve, mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të spitaleve”, tha deputeti Deda.
Ai ngriti shqetësimin se ky sektor është në një krizë totale, duke humbur edhe besimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se korrupsioni ka kapur majat dhe se transparenca nuk ekziston.
“Pra shkurt sektori i shëndetësisë ndodhet në pikën e hallit dhe në mëshirë të fatit dhe për këtë fajin e ka Sali Berisha. Sali Berisha, njëherë e një kohë doktor, sot u deklaron shqiptarëve, se që të marrin shërbim shëndetësor, duhet ta paguajnë, por nuk u tregon sesi u kthehet në shërbim kjo pagesë”, sqaroi Deda.
Duke apeluar për deklaratën e kryeministrit se qytetarët duhet të paguajnë për shëndetin, deputeti socialist i kujtoi kryeministrit, 1 milion të papunët, të cilët jo vetëm që nuk kanë mundësinë e punësimit, por kështu u hiqet e drejta për të marrë shërbim shëndetësor.
Deputeti i PS-së, i bëri thirrje kryeministrit se po i kërkon të paguajnë pensionistëve, të cilëve ua ka rritur pensionet me 20 lekë në ditë dhe nga ana tjetër u rrit çmimet e ilaçeve me 10%, duke i futur në skemën e TVSH-së.
Gjithashtu ai i kujtoi shefit të qeverisë se as banorit të zonave rurale nuk mund t’u kërkohet të paguajnë për shëndetin, pasi ata nuk e kanë njohur ndonjëherë shërbimin shëndetësor publik, pasi nuk u është servirur kurrë si i tillë.
Ai fajësoi kryeministrin Berisha për faktin se 30 % e buxhetit të shëndetësisë financohet me paratë e shqiptarëve, dhe pikërisht janë taksapaguesit, të cilët nuk përfitojnë asnjë gjë për kontributin që japin.
mit/NOA