Tiranë, 1 nëntor, NOA - Gjatë periudhës tetor 2009- shtator 2010, qeveria shqiptare ka zbatuar pjesën më të madhe të masave të parashikuara në Planin Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Kështu thuhet në raportin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” mbi monitorimin qytetar të veprimeve të parashikuara për zbatim gjatë 2009-2010, ku fushat e monitoruara janë 12 nën kriterin politik të Kopenhagenit dhe kriterin e standardeve evropiane.
Gjithsesi, për shkak të mangësive në përshtatshmërinë e masave në PKZMSA, vetëm një rishikim thelbësor i dokumentit mund ta kthejë atë në një dokument të suksesshëm politik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Nga vlerësimi cilësor i zbatimit të 172 masave të monitoruara janë identifikuar 98 masa të zbatuara, 38 të zbatuara pjesërisht dhe 36 të pazbatuara.
Kështu, mund të arrihet në përfundimin që PKZMSA ka mundësi të mira të bëhet një dokument i suksesshëm politikash për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sipas raportit.
Progresi i arritur në dymbëdhjetë fushat e monitoruara nuk është i njëtrajtshëm dhe tregon se ku ka konsensus ndërpartiak dhe vullnet politik, si në rastin e kapitujve të lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, zbatimi i masave të planifikuara është më i lartë.
Dy fushat ku të gjitha masat janë zbatuar ose zbatuar pjesërisht janë mbrojtja e pakicave dhe mbrojtja e të dhënave personale.
Progres pozitiv në zbatimin e masave është vërejtur në të gjitha fushat e kapitullit mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Ndërsa fushat, të cilat nga ana tjetër vuajnë nga politizimi dhe janë tejet të ndjeshme ndaj luftës së brendshme për pushtet, si për shembull decentralizimi ose administrata publike, proceset e reformave kanë ngecur.
Këto janë dy fushat me numrin më të madh të masave të pazbatuara, 54 për qind në administratën publik dhe 69 për qind në decentralizimin.
n.e/NOA