Tiranë, 1 nëntor, NOA – “Duke prishur ‘Muajin e mjaltit’, kryetari i Partisë Socialiste ka shpërndarë dje nëpër gazeta një histori krejt të pavërtetë, për gjoja tendera, në prokurimet publike të fituara nga Shkëlzen Berisha në institucionet, që janë në varësi e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit".
Kështu e ka nisur konferencën për shtyp ministri i Transporteve, Sokol Olldashi që doli sot në mbrojtje të djalit të kryeministrit, për artikullin e botuar në gazetën shqiptare, me titull “Shkëlzen Berisha fiton tenderat e ujësjellësit”, i publikuar si një skandal të qeverisë me fondet publike.
Duke përmendur tri procedura të prokurimit publik për Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë e fituar nga kompania CMC-EKOCON, projektin për blerjen e materialeve hidraulike nga ndërmarrja e ujësjëllësit në Durrës si dhe procedurën e ujësjellësit në Shkodër, ministri i Transporteve theksoi se “Ky është një spekullim i qartë, një shkrim tërësisht i pavërtetë i përhapur sikurse e thashë nga kryetari në ‘‘muaj mjalti’’, dhe që ka qenë lehtësisht e verifikueshme dhe lehtësisht e zbulueshme, se cili është në fakt Shkëlzen Berisha, që është aksioner i CMC-EKOCON, tha Olldashi duke prezantuar Shkëlzen Berishën, në fjalë.
“Është 23% aksioner i shoqërisë CMC-EKOCON, sikurse e shikoni nuk është Shkëlzen Berisha, që është në foton e Gazetës Shqiptare, sikurse e shikoni nuk ka moshën e Shkëlzen Berisha, që është shfaqur në foton e Gazetës Shqiptare, dhe nuk ka emrin e babait Sali, por e ka Abdulla”, sqaroi për mediat ministri i Transporteve.
Madje Olldashi bëri me dije se në faqen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit është lehtësisht e mundshme të vërtetohet se Shkëlzen Abdulla Berisha është 23% aksioner në këtë kompani, dhe për më tepër të vërtetojë me sytë e tij se flitet jo për Shkëlzen Sali Berishën por për Shkëlzen Abdulla Berishën, i lindur në Maj të vitit 1951.
Në këtë kontekst ministri Olldashi shpjegoi se në rregjistrin e shtetasve të Republikës së Shqipërisë janë 14-të persona me emrin Shkëlzen Berisha, nga të cilët vetëm njëri është djali i Kryeministrit, 13-të të tjerët nuk kanë lidhje me Kryeministrin.
“Nuk është hera e parë, që spekullime të tilla nga partia e Ramës bëhen në adresë të gabuar, por bëhen në mënyrë të qëllimshme, unë kam këtu kopje të një shkrimi të botuar përëri nga gazeta zyrtare e Partisë Socialiste “Zëri i Popullit”, ku akuzohet Sali Berisha se ka katër shtëpi, dhe i referohet shtëpive të zotit Shkëlzen Berisha, por jo të Shkëlzen Sali Berisha, jua përsëris, por të Shkëlzen Abdulla Berishës”, informoi ministri Olldashi.
Ai e ftoi kryetarin e Partisë Socialiste të shijojë muajin e mjaltit, dhe të lërë rehat të birin e kryeministrit dhe Shkëlzen Abdulla Berishën.
mit/NOA