Tiranë, 1 nëntor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maldiveve, Ahmed Shaheed. Gjatë takimit bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për thellimin e bashkëpunimit politik si në planin dypalësh ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, në të gjitha fushat me interes reciprok.
Dy kryediplomatët theksuan nevojën e konkretizimit të marrëdhënieve nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve kuadër në fushën ekonomike, konsullore, arsimit dhe burimeve njerëzore.
Në kuadër të organizatave ndërkombëtare si; OKB, OKI etj., u diskutua mbi bashkërendimin dhe bashkëpunimin midis dy vendeve për të rritur kontributin e tyre në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, forcimit të paqes, përhapjes së demokracisë, promovimit të tolerancës dhe harmonisë fetare, etj.
“Maldivet janë një vend i vogël, por tashmë një demokraci në forcim e sipër. E admirojmë pozicionin e Shqipërisë në një numër forumesh globale për paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën”, tha ministri i Jashtëm i Maldiveve.
Ai theksoi sakaq se “Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje për sa i përket të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike. Maldivet e admirojnë progresin e arritur nga Shqipëria në drejtim të evolucionit politik dhe zhvillimit ekonomik”, nënvizoi zoti Shaheed.
Në këtë kontekst të bashkëpunimit gjatë konferencës së përbashkët ministri Haxhinasto tha se “Në axhendën tonë dypalëshe kemi vendosur që shumë shpejt të realizojmë një numër marrëveshjesh që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, me bashkëpunimin në fushën e arsimit, bashkëpunim në fushën e burimeve njerëzore dhe sigurisht me krijimin e një klime më të mirë të përgjithshme për bashkëpunimin midis dy vendeve tona”.
Ministri Haxhinasto falenderoi homologun për kontributin e tij për promovimin dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit nëpërmjet njohjes së shtetit të Kosovës, si dhe lobimit për njohjen e saj nga vendet e tjera.
Republika e Maldiveve, në Paqësor, është një nga 71 vendet, që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me të.
mit/NOA