English

Topi dekoron kryedioplomatin e Maldiveve: Për promovimin e Ballkanit

Tiranë, 1 nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Maldiveve, Ahmed Shahid, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në këtë takim, bashkëbiseduesit shprehën interesin e përbashkët për thellimin e dialogut politik dhe gjetjes së rrugëve të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok për dy vendet, sidomos në aspektin diplomatik, të zyrtarizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe në atë të arsimit të lartë.

Në këtë drejtim, u vu në dukje rëndësia e komunikimit mes strukturave përkatëse të të dy vendeve, shtetërore dhe private, që do të ishte një kontribut i rëndësishëm për të zhvilluar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Në vijim, presidenti Topi bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve më pozitive në Shqipëri, duke u përqendruar në arritjet madhore për të ardhmen e vendit si anëtarësimi në NATO, vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë, si dhe angazhimi maksimal për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë për detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre që rrjedhin nga ky vendim, ndërkohë që vendi është në pritje për statusin kandidat për në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit shqiptar, në vlerësim të kontributit të Shahid në ndihmë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe promovimit të shtetit të ri të Kosovës nëpërmjet rritjes së numrit të vendeve që njohin pavarësinë e saj, i dorëzoi Ministrit të Jashtëm të Maldiveve "Medaljen e Mirënjohjes" me këtë motivacion: “Për kontribut të veçantë në drejtim të promovimit dhe forcimit të paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit në rajonit e Ballkanit”.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Maldiveve shprehu mirënjohjen për pritjen e rezervuar nga Presidenti i Republikës dhe sidomos për vlerësimin e madh që i bëhet kontributit dhe aktivitetit të tij diplomatik edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare për njohjen e Kosovës nga vendet e tjera.

Shahid theksoi se ndihet thellësisht i nderuar për këtë vlerësim, edhe në emër të popullit e vendit të tij, që pavarësisht se është larg gjeografikisht, ka një interes të madh për ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit e më gjerë.

n.e/NOA

KOMENTE