Tiranë, 1 nëntor, NOA – Bashkia e Tiranës kërkoi sot nga operatorët e shërbimit të transportit, që të fillojnë shpërndarjen e kartelave të pajtimit abone dhe të mos pengojnë kategoritë, që përfitojnë udhëtime falas.
Drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija theksoi gjatë një konference për shtyp se këto kërkesa duhet të zgjidhen në rrugë institucionale dhe pa asnjë pasojë për qytetarët për të mos u krijuar atyre asnjë vështirësi në përdorimin normal të shërbimit të transportit publik.
Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës i kërkoi Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve Publike dhe Transportit që të reagojnë ndaj kërkesave të operatorëve të transportit publik, sa i përket lehtësirave fiskale që nevojiten, në funksion të përmirësimit të shërbimit të transportit në Tiranë.
Bashkia e Tiranës bëri me dije se ka nisur një projekt të madh të përmirësimit të shërbimit të transportit publik në kryeqytet.
Andaj ajo theksoi se është e nevojshme vënia në funksionim e disa ndryshimeve ligjore dhe vendimeve ekzistuese të Këshillit të Ministrave në fuqi për shërbimin e transportit në kryeqytet.
mit/NOA