Universiteti Evropian i Turizmit (EUFT) shpall nisjen e vitit të ri akademik 2010-2011
Tiranë, 1 Nëntor 2010 NOA - Përmes një ceremonie të posaçme, të zhvilluar sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, drejtuesit e Universitetit Evropian të Turizmit kanë shpallur sot zyrtarisht nisjen e vitit të ri akademik 2010-2011 pranë tij.
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë z. Vasil SHEHU, sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Turizmit, i cili përfaqësoi ministrin Ferdinand Xhaferaj; z. Viktor Tushaj, kryetari i Bashkisë së Lezhës; z. Giovanni Colonna, përgjegjës i laboratorit teknik në EUFT; z. Perikli Qirjazi, profesor i EUFT; z. Klodian Pajuni, drejtues i Turizmit në MKTRS; z. Agim Doçi, profesor i Etikës në EUFT; znj. Frenka Paloka, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit etj.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast nga të pranishmit, u vu në dukje rëndësia e formimit dhe diplomimit të specialistëve të turizmit, për të krijuar burimet e duhura njerëzore të këtij sektori, si baza ku do të zhvillohet edhe e ardhmja e tij.
Nga ana e tij, rektori i këtij universiteti, z. Salvatore Messina ka pohuar se megjithë shifrat optimiste të rritjes së nivelit të turistëve që vizitojnë vendin tonë, përsëri ekzistojnë negativitete në lidhje me mirëfunksionimin e turizmit, të cilat duhet të rregullohen me kalimin e kohës, e prandaj sipas tij, paraqet rëndësi, pikërisht formimi dhe kualifikimi i specialistëve të rinj të turizmit në vendin tonë.
“Në nivel ndërkombëtar, turizmi ka shënuar një rritje në nivelin prej 4 për qind në vitin 2009 dhe i njëjti turizëm në Shqipëri, ka shënuar rritje deri në nivelin prej 34 për qind. Kjo është një e dhënë mjaft pozitive për Shqipërinë, ku vetëm në 6 muajt e parë të vitit është shënuar rritje me 10.2 për qind, parë kjo në kuotat e regjistruara të mbërritjes së turistëve të huaj nga jashtë.
Por është fakt se 64 për qind e turistëve që vijnë në Shqipëri, janë nga Ballkani, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia, e pavarësisht këtij niveli të lartë, duhet thënë se ata vijnë vetëm për pak muaj, në periudhën korrik-gusht. Kjo domethënë se nuk ka ende një program të detajuar për turizmin. Dhe kjo gjë ndikon shumë në shërbimet që ofrohen prej operatorëve turistikë. Ky është një realitet, që në dukje duket se janë shifra optimiste, por që flasin për një negativitet në mënyrën sesi zhvillohet ende turizmi në Shqipëri”, theksoi ai.
Duke nënvizuar në këtë aspekt faktin se paraqet rëndësi fakti që periudha turistike në Shqipëri, të mos jetë më vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, por të shtrihet në çdo pjesë të vitit. E duke kërkuar ato tregje që e kanë për kulturë të zhvillojnë turizëm dhe udhëtime turistike edhe gjatë periudhave të tjera të vitit, përveç verës, si për shembull vendet e veriut të Evropës.
E ndërsa ka përmendur nismën “Shqipëria është Kulturë”, e realizuar prej këtij universiteti, si edhe atë “Nisma e Bardhë e Kulturës Shqiptare”, ai ka vënë në dijeni se EUFT ka zgjedhur pikërisht të zhvillojë evenimente të tilla, për të krijuar premise sa më të shumta të shtimit të vizitorëve edhe gjatë pjesëve të tjera të vitit dhe për të dhënë shembullin sesi evenimentet artistike që vënë në përdorim parqet arkeologjike apo vlerat historike të një zone turistike, mund të shërbejnë si një premisë për t’u bërë edhe më të vlerësuara
“Ne si Universitet Evropian i Turizmit, kemi organizuar për shembull nismën “Shqipëria është Kulturë”, në të cilën u regjistruan 1750 të rinj për të marrë pjesë në të, ndërsa u regjistruan mëse 12 mijë spektatorë gjatë 4 netëve zhvillimit të tij. Madje kanë qenë media të cilat kanë patur artikuj pasqyrues rreth aktivitetit me titullin “Të rinjtë pushtojnë Apoloninë”, ose të tilla që e cilësonin evenimentin “Shqipëria është Kulturë” si më i madhi i zhvilluar ndonjëherë. Ndërkaq, pas aktivitetit të zhvilluar në parkun arkeologjik të Apollonisë, 1 muaj më pas ne u zhvendosëm në Lezhë, ku realizuam evenimentin “Netët e Bardha të Kulturës Shqiptare”, më 19 qershor të këtij viti. Por përse Universiteti Evropiani i Turizmit (EUFT), ndërmerr të tilla nisma? Sepse ne jemi të bindur që aktivitete të tilla kanë mjaft efekt dhe paraqesin më shumë rëndësi se 100 libra së bashku apo konferenca që mund të zhvillohen për idenë sesi mund të bëhet dhe të zhvillohet turizmi. Ndaj ne nuk e kemi frikë që të bëjmë lidhjen mes teorisë dhe praktikës, sa u përket ideve për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri”,
Ndërsa nga ana e tij, përfaqësuesi i ministrisë së Turizmit, Vasil Shehu, me cilësinë e përfaqësimit të vetë ministrit Ferdinand Xhaferaj në këtë ceremoni, u shpreh se “për vetë atraksionin që ka Shqipëria në fushën e turizmit, tek ne ka disa universitete që kanë degë turizmi, si edhe disa shkolla të mesme që e ofrojnë atë, por Universiteti Evropian i Turizmit paraqet një rëndësi të veçantë në këtë aspekt, për ecurinë e tij cilësore të shënuar në këto vite”.
“Turizmi si i tillë, kërkon në radhë të parë kualifikimin e burimeve njerëzore, si një nga pikat kryesore të 9 të tillave që përmban Strategjia e zhvillimit të Turizmit. Dhe duhet thënë se pikërisht, turizmi kulturor është disa herë më fitimprurës se ai i rërës apo i diellit. Ju garantoj se ju keni bërë zgjedhjen më të mirë për të ardhmen tuaj, por edhe zhvillimin e turizmit”, tha më tej Shehu.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, në fjalën e tij do të thoshte se duhet dhënë kontribut prej të gjithëve për të arritur nivelet evropiane të turizmit evropian, e duke falënderuar EUFT për kontributin e dhënë në këtë aspekt, vlerësoi nismën e përbashkët të bashkisë që ai drejton dhe Universitetit Evropian të Turizmit, për hartimin e masterplanit të dhe një strategjie për zhvillimin e turizmit në Qarkun e Lezhës.
“Ka qenë pikërisht EUFT ajo që e mori një nismë të tillë dhe besojmë se ajo do ta ngrejë në të ardhmen në nivele më të larta turizmin në qarkun tonë, për shkak të pasurive të mëdha natyrore, arkeologjike apo edhe turistike që ai paraqet”, tha ndër të tjera Tusha.
Duke përfunduar se vetë nisma “Nata e Bardhë e Kulturës Shqiptare”, e realizuar gjatë kësaj vere mes EUFT dhe Bashkisë së Lezhës, ishte një provë e shkëlqyer bashkëpunimi dhe se EUFT do të punojë në të ardhmen për t’u dhënë turistëve ato produkte që ata kanë nevojë.
Ndërkaq, ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin Evropian të Turizmit e ka përshëndetur edhe një përfaqësues i Rajonit të Puglias, Itali, sipas të cilit, është e rëndësishme që të formohen burimet e duhura njerëzore, bazë për sektorin e turizmit, në mënyrë që turistëve t’u ofrohet një shërbim më i mirë.
“Në Puglia, ne kemi një praktikë të njohjes së kompetencave për mënyrën administrative sesi funksionon turizmi, por edhe realizimin e praktikave të të rinjve që studiojnë turizëm, pranë ndërmarrjeve të ndryshme”, tha ai.
Duke shtuar më pas se pikërisht, politika e rajonit të Puglias mbi arsimin në turizëm, është ajo e kombinimit të njohurive rreth tij, me risitë rreth tij, në mënyrë që studentët t’i afrohen sa më mirë tregut.
“Rajoni i Puglias në dy vitet e fundit ka arritur që të jetë vendi i parë në Itali, sa i përket fluksit të turistëve që ka mundur të thithë në territorin e saj. Dhe kjo, falë kapilarizimit të të gjitha organizmave që sjellin turistë tek ne edhe gjatë muajve të tjerë të vitit, jo vetëm më korrik-gusht”, shpjegoi ai.
e.n/NOA