Viti, 1 nëntor, NOA - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! ka mbajtur tre tubime publike në Viti, duke formuar aty edhe pikat respektive. Kështu, bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se tubimi i parë u mbajt në fshatin Budrikë ku Albin Kurti theksoi se gjendja politike në Kosovë është e patolerueshme dhe se një gjë e tillë nuk duhet vazhduar.
Ai më tej vuri theksin në bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje! është për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare por jo në baza të servilizmit. Sipas tij, bashkëpunimi i Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë duhet të jetë në baza të partneritetit.
Ndërsa tubimi i dytë u mbajt në fshatin Smirë ku dhe këtu, të pranishmëve të shumtë iu drejtua lideri i Vetëvendosjes! Albin Kurti, i cili me këtë rast, theksoi se ndryshimi është i mundshëm nëse bëhemi bashkë.
“Ata të cilët bëhen bashkë në Lëvizjen Vetëvendosje! sjellin strukturën dhe organizimin. Kësisoj ndryshimi i gjendjes së rëndë politike në vend është i mundshëm”, tha ai.
Për ta përfunduar shpurën e takimeve me fshatin Goshicë, ku Albin Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të bëj as koalicion parazgjedhor e as pas-zgjedhor me asnjë nga partitë politike të cilat e kanë keq-qeverisur Kosovën në vitet e pasluftës në Kosovë. Ai inkurajoi qytetarët dhe të pranishmit që të përkrahin lëvizjen Vetëvendosje! në mënyrë që Kosovën ta bëjmë të dinjitetshme dhe ta kthejmë kah Shqipëria.
n.e/NOA