Tiranë, 1 nëntor, NOA – Ndërsa sot qytetarët u përballën me mosnjohjen e aboneve në shërbimin e transportit urban, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka kërkuar nxjerrjen jashtë ligjit të Shoqatës së Transportit Qytetës, ndalimin e bllokimit të aboneve në transportin publik në Tiranë dhe gjobitjen sipas ligjit për mbrojtjen e konkurencës të kompanive të transportit qytetës në Tiranë.
Sipas ZMK-së, ky vendim i cili nga 1 Nëntori i këtij viti bllokon njohjen e aboneve të udhëtarëve në linjat e transportit publik në Tiranë vjen si pasojë e mosmarrëveshjeve të kompanive të transportit publik me Bashkinë e Tiranës.
Duke iu referuar të dhënave, ZMK informoi se Bashkia e Tiranës ka kontratë me këto kompani ku njohja e aboneve është detyrim kontraktual dhe kjo nuk kushtëzohet me kompesime detyruese dhe as me subvencionime publike.
ZMK, theksoi se tashmë duhet Autoriteti i Konkurrencës që të hetojë mbi këtë çështje pasi Bashkia Tiranë në kundërshtim me ligjin dhe parimet e transparencës publike ka zhdukur çdo të dhënë mbi detyrimet kontraktuale, që kanë kompanitë e transportit publik në Tiranë, duke theksuar se këto të dhëna nuk gjenden më në faqen online të Bashkisë së kryeqytetit.
Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve konstatoi në deklaratën e kreut të saj, se Bashkia e Tiranës dhe Shoqata e Transportit Qytetës funksionojnë si dy palë, që nuk i ofrojnë publikut transparencë mbi detyrimet kontraktuale.
Madje ZMK, nënvizon se Bashkia e Tiranës ka influencën e saj në këtë Shoqatë pasi një agjenci aksionere (Parku i Transportit Urban të Udhëtarëve), ku Bashkia zotëron 100% të aksioneve është anëtare e kësaj shoqate të transportit qytetës.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve rezulton se ka një marrëveshje të hapur dhe të institucionalizuar midis kompanive të transportit publik në Tiranë, e cila synon rritjen e çmimeve në treg në shkelje të plotë të legjislacionit shqiptar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbrojtjen e konkurrencës.
Madje, ZMK, i bën thirrje Autoritetit të Konkurrencës të ushtrojë detyrën e saj pasi Shoqata e Transportit Qytetës, është një organizim i paligjshëm i biznesit me qëllim kontrollin e çmimeve në treg duke shkelur legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbrojtjen e konkurencës dhe rasti më i fundit i mosnjohjes së aboneve është një fakt publik mbi veprimtarinë e kësaj shoqate.
mit/NOA