Tiranë, 2 nëntor, NOA Update – Kthimi i Piramidës në një parlament të ri për vendin, do të zgjidhë me një kosto 20-30 përqind më të ulët edhe çështjen e Pallatit të Drejtësisë, si edhe atë të Teatrit.
Kështu ka shtuar kryeministri Berisha gjatë ndërhyrjes së tij të radhës në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së Komitetit Shtetëror për Kuvendin e Ri.
Duke replikuar me kryebashkiakun Edi Rama, ai tha se një problem të madh paraqet edhe ndërtimi i një Gjykate të Lartë.
Sipas tij, zgjidhet kështu problemi i tre institucioneve, me ngritjen e Kuvendit të ri tek Piramida.
“E kuptoj se artisti ka tjetër këndvështrim për gjërat, objektet por kjo nuk mund dhe nuk duhet që të merret si etalon”, tha ai duke iu drejtuar Ramës.
Duke shtuar më pas para tij se duhet të ngrihet komisioni që të vlerësojë projektin dhe ofertat, dhe se kjo do të jetë rruga më pak e kushtueshme.
n.e/NOA