Tiranë, 2 nëntor, NOA - Në kuadër të ndërtimit të një dialogu të vazhdueshëm partneriteti midis sistemit bankar dhe Bankës së Shqipërisë, kjo e fundit sot organizoi një tryezë të përbashkët diskutimi ku ishin të ftuar përfaqësues dhe drejtues nga Shoqata e Bankave si dhe ata të sistemit bankar në Shqipëri.
Gjatë takimit, u prezantua vlerësimi i Bankës së Shqipërisë për situatën financiare në vend, zhvillimet e kësaj periudhe dhe ato që gjykohen si sfida të së ardhmes.
Analizat e kryera deri tani tregojnë se situata financiare e sektorit bankar është ndikuar nga përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit, në kushtet e rikthimit të besimit të publikut dhe rritjes së qëndrueshme të depozitave.
Kreditimi i ekonomisë vazhdon të ndjekë ritme rritjeje të moderuara, duke pasqyruar më së shumti probleme që lidhen me kërkesën.
Gjatë këtij takimi, drejtues të bankave tregtare u njohën me projekt-paketën e re të masave të propozuara nga Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë.
Masat që propozohen janë në linjë me qëndrimin e Bankës së Shqipërisë, e cila synon përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës së nevojshme për mbështetjen e ekonomisë. Vend kryesor në këtë drejtim do të ketë rigjallërimi i kreditimit, duke garantuar paralelisht edhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë kërkoi angazhimin e sistemit bankar që masat e propozuara të përcillen me efektivitet në treg.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua gjatë takimit ishte dhe zhvillimi i sistemit bankar shqiptar në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve të reja, kryesisht bankingut me internet dhe telefon.
Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë këtij shërbimi nëpërmjet krijimit të terrenit të nevojshëm rregullativ, infrastrukturës teknike, etj.
n.e/NOA