Të shembësh një sistem vilash të tera për të ngritur mauzoleun e Enver Hoxhës, është gjithashtu pjesë e paranojës se kësaj diktature. Evropa, jo më kot e krahasoi Enverin me Hitlerin. Enveri nuk sulmoi kombe dhe vende të tjera, por sulmoi dhe shkatërroi vlerat e kombit të tij
Nga Sali Berisha
Kryeministër
“Vlerësoj thirrjen e Komitetit Shtetëror për ndërtimin e Parlamentit të ri dhe dua të theksoj se parlamenti si institucioni themelor i këtij vendi, pas 100 vjetësh rruge të komplikuar nga kaos në mbretëri, nga mbretëri në okupacion, nga okupacion ne diktature, nga diktatura në sistem demokratik, pra pas 100 vitesh ky vend do të ketë parlamentin e tij, ndërtesën e parlamentit të ri, si ndërtesën më dinjitoze të qytetit të Tiranës të kryeqytetit të vendit.
Ndërtimi i parlamentit është një domosdoshmëri para së gjithash nga ana funksionale. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka parlamentin e saj, por e ka atë në ndërtesa të ndryshme, në distanca dhe jo tërësisht funksionale siç do të duhej ligjvënësve të vendit, për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj zgjedhësve. Koncepti ndaj parlamentit në tërësi në këtë vend ka qenë rudimental, ndaj dhe faktikisht në rrafsh me ndërtesën përveç viteve të para të tij, parlamenti ka qenë një institucion jetim.
Në historinë 50 vjeçare të diktaturës u shemb barbarisht Tirana dhe qendra e saj. U gërryen në themele institucionet kulturore shekullore, për të ndërtuar katrahura mongoloide, dhe këtu mongoloid e kam në sensin biologjik të fjalës, sepse të shembësh pazarin e vjetër dhe të ndërtosh pallatin mongol në qendër të Tiranës, të shembësh xhaminë e Karapicëve dhe për më tepër ndërtesën më të bukur të kryeqytetit Bashkinë, për të ndërtuar një muze që kalimtarët kthejnë kokën për shkak të arkitekturës së tij, do të thotë të kesh rënë tërësish në një paranojë të totalitarizmit.
Të shembësh një sistem vilash të tera për të ngritur mauzoleun e Enver Hoxhës, është gjithashtu pjesë e paranojës se kësaj diktature. Evropa, jo më kot e krahasoi Enverin me Hitlerin. Enveri nuk sulmoi kombe dhe vende të tjera, por sulmoi dhe shkatërroi vlerat e kombit të tij. Tek dëgjoja një zëdhënës politik të deklaronte se Enver Hoxha ka shkatërruar vetëm një monument kulturor, nuk mund tu besoja veshëve se deri ku arrin verbëria hoxhiste në mendjen e këtyre njerëzve. Neroni i institucioneve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, Neroni i vërtetë rezulton se ka shkatërruar vetëm një institucion kulturor kishën e Vaut të Dejës, sepse për Neronin kryevepra të kulturës dhe trashëgimisë ishin kasollja e Galigatit dhe shtëpia e baba Cenit.
Pra, ky është tragjizmi i arkitekturës së viteve të diktaturës. Sigurisht që çdo sistem ka detyrimet e veta, por kjo qeveri dhe qeveritë para saj nuk kane patur mundësinë të angazhohen në ndërtimet publike, sepse kanë patur njëmijë probleme te tjera për të zgjidhur, duke filluar nga gota ujit, tek rruga, rrugicat shkollat etj. Për vendin gjithnjë bëhej e domosdoshme nevoja për parlamentin e ri. Në këtë kontekst jo vetëm në legjislaturën që shkoi dhe para saj ishte ngritur një komitet që shqyrtonte mundësinë e ndërtimit të parlamentit të ri.
Konkursi i fundit i studiove serioze erdhi i ndarë, pati nga ata që sollën projektin për të ndërtuar vetëm sallën; pati të tjerë që sugjeruan të ndërtohej i tërë parlamenti dhe konkretisht në lulishten ngjitur; pati një projekt, i cili përpiqej të retushonte fasadën e kësaj ndërtese moskovite me një “make up” perëndimor. Ky projekt ishte shumë i diskutueshëm, pasi zgjidhte vetëm sallën, përveç faktit që krijonte një pamje gjysmë mitologjike, një i vdekur dhe një i gjallë.
Arkitektura ka gjuhën e saj, madje dhe më të fortë se libri, por nuk ishte vetëm ky aspekt i këtij projekti kishte edhe mbrapshti të tjera, për të cilat është bërë një debat në këtë sallë dhe nuk do të ndalem. Ndërkohë problematika e disa institucioneve bëhej gjithnjë e më madhe. Një nga këto institucione që kishte vështirësitë më serioze për funksionim e saj ishte Gjykata e Lartë e vendit. Kryetarja e kësaj gjykate i është drejtuar në mënyrë të përsëritur qeverisë dhe unë ju siguroj se kushtet aty janë të pa pranueshme se hapësirat janë të pa mjaftueshme dhe në mënyrën më serioze, qeveria në një seri takimesh i ka siguruar Kryetares se Gjykatës se do të angazhohet për ndërtimin e një gjykate të lartë.
Qeveria shqyrtoi mundësinë e ndërtimit të saj në zonën midis Bankës dhe Hotel Dajtit dhe duhej blerë një sasi e mire toke, por gjykata është gjykatë dhe duhet të funksionojë në kushte normale. Kemi të bëjmë me dy institucione kushtetuese që kanë problematike të madhe, por është dhe një institucion tjetër që nuk është shtruar në kushtetutën ligjore të vendit, por është shkruar në kushtetutën morale siç është Teatri Kombëtar i vendit dhe ajo kushtetutë morale të detyron ti japësh atij vendin dinjitoz.
Në këto kushte u gjet si më i përshtatshëm vendi ku ndodhet mauzoleu i diktatorit, i parashikuar për balsamimin e tij, por që dështoi në atë proces dhe që zë një sipërfaqe 4 herë më të madhe sesa Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Nga ana e sipërfaqes mauzoleu i diktatorit ishte parashikuar si shtëpia e përjetësisë tokësore të tij, se për në qiell ai i kishte ndarë hesapet ishte ateist pavarësisht se i vunë kambanat para derës së tij, mos mendoni se ai ndryshoi gjë.
Mauzoleu u vendos aty për të përjetësuar kujtimin e një njeriu që në historinë e këtij kombi do të mbetet njeriu më barbar, më mizor, me gjakësor i të tëra kohërave. Njeriu që çoi kombin në alternativën për të qenë apo për të mos qenë; që ndërtoi më shumë bunkerë se spitale dhe universitete; që ekzekutoi pa gjyq mijëra e mijëra qytetar të pafajshëm; që rrënoi dhe shkatërroi trashëgiminë kulturore shekullore dhe mijëra vjeçare të shqiptarëve.
Pra edhe për aq sa është nostalgjia do të thosha se ajo është gjëja më absurde dhe më e pa justifikueshme. Shumë lehtë mund të shtrohet pyetja, pse tani? Absolutisht, sepse tani kjo qeveri ia doli të disponojë të gjitha mjetet për ta ndërtuar atë duke zbatuar të gjitha projektet, duke rritur rrogat, duke rritur pensionet, duke ndërtuar shkolla, duke ndërtuar rrugë dhe është pikërisht tani.
Faktet flasin më shumë se fjala dhe unë jam i gatshëm të listoj një listë të tërë të veprave të mëdha publike dhe atëherë në këto kushte u gjykua që të ndërtohet kompleksi i ri parlamentar dhe me këtë ndërtim, unë ju garantoj ju se kjo qeveri nuk shpenzon asnjë qindarkë më tepër sesa po të ndërtonte atë kubet mbi këtë godinë dhe Gjykatën e Lartë. Të dyja së bashku shkonin të paktën 28% më shume sesa kompleksi i parlamentit dhe sigurisht që ne jemi të interesuar për efiçencën më të madhe të përdorimit të parasë dhe së treti me këtë vendim parlamenti, institucioni qendror i vendit bëhet me ndërtesën më moderne të Shqipërisë, e meriton kjo është historia e parlamentarizmit.
Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë mundet dhe KLD marrin tërësisht këtë ndërtesë, e cila ditën e pavarësisë e tutje, do të quhet pallati i drejtësisë. Teatri Kombëtar merr një sallë mbretërore, një nga sallat më të bukura në Evrope, e vogël e bukur akustike me një arkitekturë dinjitoze, fatmirësisht parlamenti i bëri një rindërtim të shkëlqyer si një përgjigje e të gjitha aspekteve dhe atyre që vijnë dhe unë dua të theksoj se artistët e kanë pritur me kënaqësi të madhe, e kanë vlerësuar shumë. Ata duhet të dalin nga ato rrugica ku janë dhe të vendosen aty ku kushtetuta morale e kombit do ti vendoste ata. Kemi të bëjmë me një vendim, i cili zgjidh problemet madhore të tre institucioneve te vendit, Parlamentin, Pallatit të Drejtësisë, Teatrit Kombëtar.
Do ta mbyll fjalën time zonja kryetare duke thënë se në hartimin e buxhetit, po përcaktohen të gjitha instrumentet financiare për t’iu përgjigjur këtij projekti dhe është e rëndësishme të mos humbasim asnjë ditë të vetme sepse ky nuk është një proces i thjeshtë, ky është një proces kompleks, që duhet të bëjmë të angazhohen studimet më serioze të vendit dhe ftoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranë të japë ndihmesën e tij. Por këtu do të organizojmë qytetarët e Tiranës, për të parë dhe votuar për maketin, i cili do të vihet në vend të dukshëm ku qytetarët të kalojnë dhe të japin vlerësimin e tyre. Do të ketë një juri ekspertësh dhe një juri publike, do të krijohen sistemet më të mira të komunikimit që edhe qytetarët të votojnë projektin natyrisht pa kuti, por me votim elektronik, sikundër do të përgatitemi paralelisht për kontraktimin e kompanive me të fuqishme, sepse 28 nëntori i 2012, po afron dhe duhet që etërit e pavarësisë të jene shpirtërisht të pranishëm në atë parlament dhe atë sallë. Duhet që shqiptarët të festojnë pavarësinë e tyre në një parlament të ri. Pra unë jam këtu për ti garantuar parlamentit, se qeveria do të angazhojë të gjitha burimet e saj në mënyrë që vendi të ketë ndërtesën me dinjitoze, me të merituar për parlamentin e tij.
***
Ndërtimi i parlamentit në vendin e përcaktuar sipas planit rregullues të Tiranës është në vendin më të përshtatshëm, pasi plani rregullues francez e lë atë problem të hapur, sepse arkitekti francez, nuk mund ta konsideronte një trashëgimi historike për tu mbajtur, muzeu de fakto dhe mauzoleu de jure, të Hitlerit të pas luftës.
E vërteta është se aty ka qenë e parashikuar të varrosej i balsamosur diktatori, por balsamimi ishte një proces i komplikuar, cilido që dëshiron mund të shkojë të gjejë shenjat e varrit, sepse u tha më vonë se ky proces nuk mund të përfundonte në atë mënyrë dhe u vendos busti i tij. Pra nuk kemi të bëjmë këtu me një trashëgimi arkitekturore, e cila duhet parë me një lloj interesi, sepse unë nuk mund të them këtu se Pallati i Kulturës është dinjitoz për kryeqytetin. Mund t’ju informoj se para katër ditësh një gazetar me tha se kryetari i bashkisë po i hiqte shkallët, në mendjen time thash se të vijë dita dhe do i heqim dhe kolonat, por do financa të tjera, sepse natyrisht ajo shpreh arkitekturën e një kohe, por shpreh gjithashtu edhe defektet e tmerrshme të asaj kohe, duke zënë vendin më kryesor të kryeqytetit.
Unë nuk them se ai do të prishet, por nuk mund të specifikohet diçka vetëm e vetëm se është historike. E ardhmja më intereson shumë me tepër se historia, natyrisht çfarë është për tu ruajtur prej saj, jam plotësisht dakord të ruhet, të kultivohet, të rindërtohet. Në tërësi ne nuk mund ta ruajmë vetëm se i përket së shkuarës, ne duhet të gjykojmë për vlerat. Cilat janë vlerat, cili është funksionaliteti? Po e lëmë për një moment se aty nuk ka qenë fare e parashikuar si mauzoleu i Enver Hoxhës, por 20 vjet sa qeveri erdhën nuk qenë të zonjat ti japim dot qoftë dhe një funksionalitet të veçantë. Janë 30 mijë metra katror aty, druaj se ai projekti për teatër është i kryetarit të PS, druaj nuk e them me siguri, sepse atë e kam gjetur në sirtar unë me firmë të Blendi Klosit.
Pra ju kumtoj një projekt të hartuar nga paraardhësit, mund të mos jetë, por ju garantoj se një studio franceze kishte punuar mbi atë projekt. Pse nuk e hodhët poshtë? Nuk e hodhët sepse ajo ishte një ndërtese, e cila ishte ndërtuar për të mbajtur trupin e diktatorit dhe tani kjo nuk mund të ndodhte dhe duhet të merrte një funksion tjetër. Nuk e gjykoj aspak të gabuar cilido të ishte prapa idesë që të ngrihej teatri aty.
Kishte një gjë gabim. A mundej që varri të bëhej teatër, se duhet të shqyrtojmë dhe veten tonë tani, pasi ajo është e konceptuar për varr. Pra kjo është e vërteta, është e lidhur direkt me përjetësinë e diktatorit. Askush nuk po thotë të prishim atë sallë të parlamenti, sepse aty qëndroi parlamenti i diktaturës, askush nuk thotë që të prishet kjo ndërtese këtu, përkundrazi të gjithë thonë, që të behët pallati kryesor i drejtësisë. Sepse vërtet ndërton parlamentin, por zgjidh njëkohësisht edhe çështjen e Pallatit të Drejtësisë dhe kushdo që të bëjë llogaritë i del minimumi 20-30% më lirë. 100 vjetori i pavarësisë është një datë për shqiptarët dhe çdo njëri që do të ishte në qeveri apo në opozitë kishte detyrim moral madhor të ndërtonte diçka të bukur dhe më të veçantë për këtë 100 vjetor dhe menduam parlamentin, të cilit prej 100 vjetësh i mungon një ndërtese funksionale. Por nuk mund të lëmë aty një ndërtesë as të gjallë as të vdekur,as lulishte, as funksionale, ndërkohë që mund ti japim atij vendi, ndërtesën funksionale.
Nuk ekziston tek unë kulti i armikut, sepse armiku urrehet. Unë nuk urrej njëri ndaj dhe mendoj se këto terma që përdorni ju, taleban etj, mendoj se janë terma që dalin nga një prapavijë psikologjikë shumë e pafavorshme.
Për projektin, ju e quajtët më të mirin në botë, por së paku minimumi zgjidh disa probleme të tjera. Po marr atë që kemi ne legjendë, keni parë, s’ keni parë një i vdekur me të gjallë. Unë e kuptoj se artisti ka mënyrën e tij të perceptimit të gjërave, por kjo nuk duhet të thotë se ky është etaloni sesi duhet ta perceptojë shoqëria.
Ndaj z. Rama unë e mbyll fjalën duke bërë thirrje të hapin konkursin me serioz, të bëjmë konkursin më intensiv, të shfrytëzojmë kohën në mënyrën më racionale dhe të bëjmë gjithçka që të mund ta inaugurojmë në nderim të përvjetorit të pavarësisë së çlirimit. Normal që vendi ka nevoja të tjera, por është normale që vendi duhet të plotësojë dhe këto institucione siç është Parlamenti, Pallati i Drejtësisë apo Teatri.
***
Tek dëgjoja një eksponent të lartë të Partisë Socialiste dje, se Enver Hoxha ka prishur vetëm një monument kulture në 50 vite, e kisha shumë të vështirë të besoja se ky ishte një instruksion ekzakt i z.Rama. Por ne këtu nuk jemi mbledhur të bëjmë avokatinë e mauzoleut të diktatorit. Ju duhet të keni kurajën të thoni të vërtetat dhe jo ti mohoni dhe maskoni ato. Kryearkitekti i asaj godine u deklaroi shqiptarëve në Top Channel se ishte parashikuar aty edhe varri i diktatorit.
Faktikisht ti atë ke në mendje, atë po mbron, faktikisht atë imiton, faktikisht ti atë ke frymëzim, por kjo është puna dhe zgjidhja jote dhe unë për këtë nuk kam asnjë lloj keqardhje dhe asnjë lloj shqetësimi. Shqetësim kam që këto mikrofona këto kamera, mos të përdoren për tu thënë shqiptarëve të kundërtën e asaj që është. Sepse para një javë tha Klement Kolaneci të kundërtën e asaj që the ti, tha se ka qenë parashikuar të vendosej varri i diktatorit dhe ti tani na e krahason parlamentin me parlamentin Gjerman.
Unë i di sepse kam lexuar me shumë se çdo gjë tjetër dhe unë i kuptoj komplekset që ke, që përpiqesh ti maskosh , por të dalësh tu thuash shqiptarëve se po e mbroj se aty nuk ka qenë caktuar varri i Enverit. Konkursi do të jetë kombëtar dhe në këtë kontekst ti nuk përjashtohesh, urdhëro bëju pjesë e këtij bashkëpunimi ndaj je këtu, 100 vjetori do të festohet, por të të pyes unë ty se ku duhet ta ndërtoj, ndërkohë që varri hesht, jo duhet të prishim varrin, sepse ai është atje ku është, nuk ka kocka aty dhe nuk kemi të bëjmë me ndonjë problem tjetër.
Nuk mund të lëmë varrin në qendër të kryeqytetit, e vure kambanën nuk zgjidhe gjë, këto ishin kalimtare, por zgjidhja përfundimtare është ndërtimi i parlamenti. E ke të vështirë ti të kalosh nga ngjyrat tek arkitektura , për bojërat mund të flasësh, por arkitektura është një shkencë aq komplekse, tek arkitektura ngjyra është e fundit. Ti, gjithë jetës tënde ke luajtur me bojëra dhe ngjyra, ato janë një aspekt, por në arkitekturë janë gjëra të tjera shumë më themelore.
Unë ti shpreha problemet e mia, por a shprehet arkitektura këtu, arkitektura shpreh të gjitha problemet e psikologjisë dhe duhet ti dish ato. E ke psikologjike të mbrosh mazoleumin, por për arkitekturë që s’të shkon të mbrosh, sepse i ngul e i shkul ato kulla si të do qejfi ty. Por ato do ti diskutojmë kur të diskutojmë në KRRTRSH planin e përgjithshëm të Tiranës, këtu do të diskutojmë parlamentin.
Ju ftoj të vazhdojmë këtë bashkëpunim, ti lëmë pasionet të shkëputesh nga komplekset historike, sepse e vërteta është se Enver Hoxha ishte një lloj Mulla Omari, por të përpiqesh të krahasosh të tjerët me Enver Hoxhën do të thotë se të ka mbetur ora te Enver Hoxha. Të përpiqesh të gjesh taleban tjetër si Enver Hoxha në Shqipëri do të thotë se ti ke mbetur i dyti.
Nëse do të flasim për këto gjera eja ne çdo studio televizive qoftë edhe ne Top Channel, por unë të them që të jesh dhëndër i ri me mendime te reja.
***
Ju, zoti Rama, jeni ulur në karrigen e Spiro Kolekës. Përveç faktit se je një piktor i realizmit socialist i penduar dhe për këtë më vjen mirë. Se në qoftë se zotëria nuk është penduar në ideologji, rezulton i penduar në art dhe kjo përbën një zhvillim, kërkon ta projektojë të gjithë sistemin demokratik, të ndërtuar nga shqiptaret këto 18 vite, me trashëgiminë e tij të realizmit socialist. Unë uroj që të çliroheni sa më shpejt nga kjo mënyrë arsyetimi dhe të arrini të shihni një realitet krejt tjetër, një Shqipëri që është vite drite larg asaj që imagjinoni, zhvilloni dhe parashikoni ju.
Nuk ka diskutim që ky Komitet nuk do të përcaktojë arkitekturën e parlamentit të ri, por ky Komitet ka të gjithë tagrin t’u ofrojë arkitektëve zonën, sepse, me sa po shoh, do të kalojmë nga një model mbi për mbi, në një model tjetër mbi për mbi, mund të dalë dikush e të thotë ta ruajmë godinën e të vëmë shtylla mbi të. Piramida do të prishet, sepse ajo sipërfaqe aty është jetike për ndërtimin e parlamentit.
Por, nga ana tjetër, ne na ndajnë dy botë, dy botëkuptime, dy filozofi. Unë nuk mund ta konceptoj kurrë atë që ju thoni që vlerat historike të asaj godine janë të atilla, sa për t’u mbajtur. Periudhën socialiste të qendrës së Tiranës, unë e quaj periudhën më të zezë të historisë së saj. Në rast se ju mendoni se qendra e Tiranës duhet të jetë skllave e asaj periudhe, unë ju garantoj se kjo nuk do të ndodhë. Nuk them kurrë se do të rrafshohet kjo ndërtesë, por, në qoftë se epoka e kryetalebanit, që mjerisht rezulton të jetë edhe antishpirtëror, bëri këtë batërdi në qendër.
Ti zoti Rama, fillimisht erdhe tek unë dhe më pas u ktheve prapë atje. Ke bërë zgjedhjen që ke dashur. Një meritë ke, se në prag të zgjedhjeve shkove në qytetin studenti dhe rrëzove bustin atje. Por, kur ia rrëzove bustin atje, përse do që të mbash bustin këtu? Në 2009 rrëzove bustin atje, ndërsa sot do të mbash mauzoleumin këtu.
Ne duhet të shpallim konkursin, të ftojmë studiot më të mira, të bëjmë debat me qytetarët, sepse nuk është bërë ndonjëherë debat me ta, të marrim vendimin e tyre.
Ti zoti Rama po u heq abonetë dhe nuk po i pyet gjimnazistët dhe tani po më thua pyet qytetarët për Enver Hoxhën.
Unë të ftoj të bashkëpunojmë. Parlamenti nuk është i imi, por është i çdo shqiptari. Pavarësisht nga kundërshtitë e mëdha që kemi, pavarësisht nga pozicionet e ndryshme që ndajmë, jemi të përafërt në shumicën e pikave, gjer tek ajo që ti kërkon që të ruhet, por ajo nuk mund të ruhet, sepse është i lidhur me Enver Hoxhën dhe varrin e tij.
*Fjala e mbajtur sot në Komitetin shtetëror “Për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar”